Ishte e para që dikur mbante qëndrim sa herë që Shqipëria kalonte një situatë delikate, ndërsa sot është ndër të fundit që shprehet për zgjedhjet parlamentare. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbajtur më në fund qëndrimin zyrtar ndaj procesit zgjedhor të dy javëve më parë dhe e ka bërë këtë përmes një urimi. I vetmi element që zbulon sesi i ka lexuar Uashingotin zgjedhjet e fundit shqiptare. “Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, shkruan ambasada.
Një telegram më shumë sesa një analizë dhe qëndrim i zgjatur zyrtar. Një frazë e shkurtër krejt në kontrast me deklaratat zyrtare të zgjedhjeve të shkuara, ku kishte mesazhe për të gjitha palët, fituesit dhe humbësit, por edhe për cilësinë e procesit dhe vërtetësinë e rezultatit.
Këtë radhë, si për të provuar se asgjë nuk është më si më parë pas 20 janarit, administrata Trump mjaftohet me një urim të shkurtër, duke mos hyrë qëllimisht në thelbin e procesit zgjedhor, për të mos krijuar dinamika të caktuara brenda politikës shqiptare, e cila e priste me padurim këtë qëndrim prej ditësh.
Së pari, nëse do të kishte rezerva për zgjedhjet e 11 majit, SHBA nuk do të uronin, por do të mbanin një qëndrim tjetër. Më të ashpër, ose mund ta kalonin me heshtje atë që ndodhi në Shqipëri ditën e zgjedhjeve. Në këtë prizëm opozita nuk ka marrë atë që priste nga qëndrimi amerikan për zgjedhjet. Ashtu siç nuk mori as heqjen e statusit non grata për Berishën apo ndonjë mesazh mbështetjeje para zgjedhjeve.
Në anën tjetër Rama mund të jetë i kënaqur me faktin se pala amerikane shprehet se “presim të vazhdojmë përtneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”. Një mesazh jo edhe aq i koduar e i vështirë për t’u kuptuar, se amerikanët presin vijimësinë e jo diçka tjetër. SHBA njeh rezultatin dhe pret të vijojë bashkëpunimin me qeverisësit!
Edhe një element i fundit: SHBA po na fton në mënyrë të përsëritur që ta heqim nga roli i arbitrit suprem që i kemi dhënë këto 30 vjitet e fundit. E ka bërë këtë duke heshtur praktikisht për çdo ngjarje, krizë apo përplasje që është konsumuar në Shqipëri pas ardhjes në detyrë të presidentit Trump. E ka bërë duke anuluar praktikisht të gjitha programet e asistencës, siç ka bërë në gjithë botën, duke hequr mbështetjen deklamative për drejtësinë e re dhe SPAK dhe duke heshtur gjatë gjithë fushatës së fundit zgjedhore.
SHBA po na thotë se nuk dëshëron më të jetë dera ku trokasim në çdo orë të ditës dhe natës sa herë që e bëjmë lëmsh vendin tonë. Është një vendim i drejtë që na vjen përmes një dekarate për zgjedhjet që ashtu siç është, e shkurtër, telegrafike dhe pa detaje e qëndrime mes rreshtash, na jep mesazhin madhor se kohët kanë ndryshuar e se duhet ta gjejmë tjetërkund gjyqtarin suprem të dikurshëm. Ndoshta më mirë kështu, pasi po na ftojmë të piqemi më në fund./Javanews