Fushata mbaroi, zgjedhjet ndodhen në votat e fundit që po numërohen për preferencialet e kandidatëve nga zarfet e diasporës dhe KQZ pritet të zyrtarizojë rezultatin për 140 deputetët e rinj të Kuvendit të ardhshëm.
Paszgjedhjet ishin edhe tematika kryesore e emisionit ‘5 Pyetjet nga Babaramo’, në Report TV.
Juristi Kreshnik Spahiu në analizën e tij u shpreh se kjo ishte fushata elektorale më e ftohtë e 35 viteve në Shqipëri, ku edhe partitë i mbushnin sheshet me karrige, sepse kishte pak njerëz. Madje ai e cilësoi edhe si “fushata e karrigeve”.
“Kjo ishte fushata më e lexueshme në 35 vitet e fundit, e ftohtë, pa entuziazëm, ishte fushata e karrigeve. Më parë kishte entuziazëm, rrinin edhe në këmbë e kërcenin nga shpresa prej premtimeve. Kurse këtë herë, qofta mazhoranca dhe opozita, kishin vetëm një mundësi për të mbushur sheshet, për të shpërndarë hapësirën dhe vendosur karriget”, u shpreh juristi për Report Tv.
Por pse fitoi PS-ja zgjedhjet sipas tij?
“Pavarësisht shifrave, në shikim të parë shqiptarët zgjodhën të keqen më të vogël dhe e keqja më e madhe ishte Berisha, edhe për shkak të së kaluarës dhe moshës së tij. Në vota kombëtare PS mbetet në të njëjtat kuota, po aq se sa është votuar 4 apo 8 vite më parë dhe më pak se në 2013, edhe pse atëherë kishte 42 forca koalicion”, shpjegoi ai.
Teksa vuri theksin edhe tek fakti negativ i kësaj fushate, ku partitë e reja nuk u bashkuan që të maksimalizonin votën dhe të mos shpërndahej e të fitonin kaq pak deputetë në raport me numrin e votave, të dëmtuar nga sistemi zgjedhor.
“Ishte votë për të keqen më të vogël, madje partitë e vogla u votuan masivisht, ku partitë e reja ishin alternativë. Por edhe këto humbën një shans historik, pas vota u shpënda, ato nuk u grupuan dhe humbën shumë deputetë”, tha Spahiu.