Në vend që të përballet me pasojat e një prej humbjeve më dërrmuese elektorale në historinë e Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zgjedhur të rikthehet te sulmet ndaj drejtësisë. Kryetari i PD-së, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” me vendim të Gjykatës së Posaçme, ka akuzuar sërish kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, si “vegël politike të Edi Ramës”, duke e cilësuar këtë institucion si pjesë të një “prokurorie politike”.

I ftuar në emisionin “Debat” në A2 CNN, Berisha deklaroi se nuk do të pranojë kurrë një “prokurori politike për aset”, duke iu referuar SPAK-ut si një instrument të ngjashëm me atë të diktaturës. Ai madje pretendoi se ka dokumente që tregojnë se Dumani vepron me motivime politike, duke shtuar se disa ministra, që sipas tij janë të implikuar në korrupsion, vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë.

Por në kontrast të fortë me pretendimet e Berishës, faktet flasin ndryshe. SPAK ka ndërmarrë një sërë hetimesh dhe goditjesh të rëndësishme ndaj zyrtarëve të lartë publikë përfshirë ish-ministra dhe deputetë të mazhorancës, si Lefter Koka dhe Alqi Bllako, të dënuar për korrupsion dhe abuzim me detyrën. Kjo e bën të pakuptimtë tezën e njëanshmërisë politike që Berisha përpiqet të imponojë.

Po ashtu, Altin Dumani është një nga figurat që ka fituar vlerësime pozitive nga partnerët ndërkombëtarë si për integritetin personal, ashtu edhe për drejtimin e SPAK. Në deklaratat zyrtare të Ambasadës Amerikane dhe Delegacionit të BE-së, SPAK-u konsiderohet si një prej institucioneve kyçe për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Edhe pse ka nevojë të thellë të korrigjohet.

Retorika e Berishës vjen në një moment kur Partia Demokratike ka dalë e përçarë dhe e dobësuar nga zgjedhjet e 11 majit. Ndërkohë që liderët e tjerë opozitarë janë përqendruar në analizën e humbjes dhe të ardhmes së opozitës, Berisha vijon të projektojë një realitet paralel, ku gjithçka sillet rreth një “komploti” të drejtësisë ndaj tij.

Këto sulme nuk janë të reja. Berisha ka ndjekur të njëjtin skenar që nga momenti kur SPAK nisi hetimet ndaj tij dhe dhëndrit të tij për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Refuzimi i tij për të u përballur me drejtësinë ka kulmuar me qëndrime të hapura për moszbatim të vendimeve gjyqësore dhe me nxitjen e përplasjes me institucionet ligjzbatuese.

Në thelb, deklaratat e fundit të Berishës nuk janë gjë tjetër veçse një përpjekje për të larguar vëmendjen nga brenda PD-së, ku gjithnjë e më tepër po artikulohet nevoja për një reflektim të thellë dhe ndarje me të shkuarën. Sulmet ndaj SPAK-ut nuk janë më armë politike, por shenja të qarta të një lideri që nuk e pranon realitetin, se koha e tij politike po mbyllet në sfondin e një lufte personale me drejtësinë./LEXO.AL