Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ishte sot e ftuara e nderit në Mëngjesin e Lutjeve në Parlamentin e Austrisë.
Mëngjesi i Lutjeve është një veprimtari tradicionale që zhvillohet në Kongresin Amerikan, Parlamentin Europian dhe parlamentet e vendeve europiane, me pjesëmarrjen e parlamentarëve, personaliteteve politike, publike, fetare dhe nga bota e biznesit.
Në këtë veprimtari morën pjesë, përveç deputetëve të Parlamentit të Austrisë, edhe mjaft deputetë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, kongresmenë amerikanë dhe personalitete të jetës publike, politike e fetare.
Me Presidentin e Parlamentit Walter Rosenkranz, Kryetarja Spiropali diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe mbështetjen e fuqishme të Austrisë për anëtarësimin e shpejtë në Bashkimin Europian.
Spiropali nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë do të avancojë bashkëpunimin e suksesshëm me Parlamentin e Austrisë, mbështetur edhe në Protokollin e nënshkruar mes dy parlamenteve në vitin 2020.
Gjatë kësaj veprimtarie Kryetarja Spiropali u takua edhe me ish-Presidentin e Parlamentit të Austrisë Wolfgang Sobotka dhe parlamentarë e personalitete nga Austria dhe vende të tjera.