Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në kuadër të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, zhvilloi sot një vizitë të veçantë pranë Shërbimit të Pediatrisë në Tiranë, që ka përfunduar rikonstruksionin në Shkurt 2025 dhe ofron shërbim për pacientët e vegjël me kushte dinjitoze.

Znj.Spiropali mori pjesë në aktivitetin e organizuar për fëmijët si dhe takoi disa prej tyre dhe personelin mjekësor që kujdeset për ta.

Znj. Spiropali u shpreh se shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve duhet të jenë gjithmonë prioritet i institucioneve dhe shoqërisë, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për familjet nga sistemi shëndetësor.

Drejtoresha e Përgjthshme e QSUT, Prof. Dr. Donjeta Bali, u shpreh se forca dhe energjia që japin fëmijët në kushte spitalore, sjellin dritë dhe optimizëm dhe na japin forcë të përballemi me sfidat e përditshme. Znj. Bali tregoi se për herë të parë në Shërbimin e Pediatrisë, ka mjedise ku fëmijët që kanë nevojë për qëndrim më të gjatë, të zhvillojnë mësim në klasat digjitale.

Shërbimi i Pediatrisë së Specialiteteve ka një kapacitet prej 140 shtretërish dhe 17 poltronë për pacientë që kanë nevojë për terapi ditore.

Në këtë aktivitet nën një atmosferë festive, u shpërndanë edhe dhurata për fëmijët në kuadër të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, zhvilloi vizita edhe në disa nga dhomat ku ishin të shtruar fëmijë të cilët po marrin trajtim mjekësor.

Gjithashtu, znj. Spiropali zhvilloi takime edhe me mjekët të cilët janë gjatë gjithë kohës në shërbim të fëmijëve.

Një ambient tepër i veçantë ishte Muzeu në këtë shërbim ku ishin të ekspozuar me foto të gjithë pediatrit dhe ish-pediatrit, historiku i pediatrisë.

Gjithashtu në këtë muze ishte edhe pema e të mbijetuarve, fëmijë të cilët ia kanë dalë të tejkalojnë sëmundje të rënda.