Nga Juxhin Cela

Surealizmi i narracionit të Berishës.
Është ditë e diel, 11 maj, mëngjes, zgjohem herët dhe bëhem gati me shpejtësi për të marrë pjesë në procesin zgjedhor pas katër vitesh pritje.

Vajta të votoja lidershipin e PD-së, Flamur Nokën dhe doktor Berishën që po luftojnë këtë narkoshtet ku mafia vret gazetarë, politikanë e gjyqtarë në mes të rrugës, por nuk ia dola dot sepse më dolën bandat e regjimit me kallash në kthesa para qendrës së votimit.
Ata ndodheshin në makina fuoristrada luksoze, me mitraloz të vendosur sipër tyre dhe në pikën e kontrollit që kishin ngritur ndalonin çdo qytetar.
Pas verifikimit nga patronazhistët e deleguar në këtë pikë ilegale kontrolli më morën menjëherë kartën e identifikimit dhe më thanë se do ta kthenin pas zgjedhjeve, kjo pasi u rezultoja në bazën e të dhënave të tyre si opozitar.
Më ofruan alternativën të kaloja drejt qendrës së votimit vetëm nëse do t’u fotografoja fletën e votimit me numrin 5 të shënuar. Në këmbim më ofruan 200 euro, jo cash por në mall, më nxorrën dhjetë gramë kokainë që e ndanë me një lugë që ndodhej brënda një thesi të madh që kishin në portbagazhin e makinës, kokaina ishte kthyer në monedhën me të cilën paguanin, më thanë se nëse e shisja në Tiranë, do përfitoja aq lekë ndërsa po ta shisja jashtë vendit do të merrja tri-katër herë më shumë pasi për shkak të disponibilitetit të gjerë në Shqiperi çmimi i këtij malli tek ne ishte zvlerësuar duke u bërë i ndryshëm nga vendet përreth.
Kur e refuzova edhe këtë, patronazhisti i deleguar më ka fotografuar dhe skanuar fytyrën, pastaj më treguan ekranin e tabletit që kishin me vete, aty u shfaq një aplikacion me disa imazhe të lidhura me mua, më thanë: “I sheh këta? Janë kushërinjtë që të punojnë në shtet. Mendoje edhe një herë.” Më pas qeshën së bashku me anëtarët e bandës së armatosur, që qëlluan në ajër për të frikësuar, unë, i terrorizuar, u binda. Kështu ma morën votën. Kjo është Shqipëria e vitit 2025, ku bandat janë shndërruar në zgjatim të regjimit për të intimiduar qytetarët.
Më e dhimbshmja se aty pranë atë çast po kalonte makina e delegacionit të BE-së. Mendova se do të ndërhynin, por nuk ndaluan, ngritën xhamin e zi të blinduar dhe vazhduan rrugën, duke injoruar postbllokun e narkoregjimit që po intimidonte qytetarët. Madje, një anëtar i bandës përshëndeti shoferin e makinës që shoqëronte delegacionin.
Mora vesh nga të njohur se në Tiranë ishin ngritur mbi 100 pika kontrolli nga bandat. Atmosfera ishte frikësuese që një natë para zgjedhjeve, kur autokolonat e bandave me makina të armatosura kalonin në çdo lagje, të pa shqetësuar nga policia, për të krijuar një gjendje terrori psikologjik dhe për të frikësuar qytetarët opozitarë që të mos dilnin në votim.
Në fakt, kjo pjesë e shkrimit është fiction – trillim, jo e vërtetë, por reflekton diçka të vërtetë, frymën sureale me të cilën PD-ja e Berishës po ndërton narrativën për të justifikuar humbjen dhe më e rëndësishmja për të shmangur llogaridhënien e udhëheqjes së partisë për rezultatin thellësisht humbës. Për të ruajtur karriget e pushtetit, ata janë të gatshëm të shpifin në median ndërkombëtare, duke dëmtuar imazhin e vendit dhe prodhuar një fotografi me trillime mbi situatën në Shqipëri.
Kjo narrativë përplaset me faktet: SPAK-u ka neutralizuar dhjetëra grupe kriminale në fushën e narkotrafikut, shumë prej të cilave lulëzuan gjatë kohës që Sali Berisha ishte në pushtet. Bandat janë goditur aq fort, sa shumë prej tyre janë arratisur jashtë vendit, ndodhen në burg ose strehohen në fshatra të thella malore, të fshehur nga institucionet e sigurisë së vëndit.
Nuk përjashtohet që individë të izoluar të kenë tentuar të blejnë vota, të marrin karta identiteti apo të intimidonin, por të dhënat e SPAK, OSBE-ODIHR dhe të institucioneve të tjera të pavarura të monitorimit/hetimit tregojnë se nuk pati asgjë masive. Përkundrazi, Shqipëria arriti të organizonte zgjedhje të qeta, transparente dhe demokratike si kurrë më parë. Incidentet e pakta ishin kryesisht nxitur nga komisionerë dhe numërues partiakë, minimalë në numër e ndikim.
Qasja e Berishës për të mos njohur zgjedhjet, duke i quajtur “të manipuluara nga bandat e narkoshtetit”, duket qesharake edhe për votuesit më fanatikë të PD-së. Askush nuk e beson më këtë narrativë. Në fund, ajo që mbetet është dëmtimi i imazhit të Shqipërisë për audiencën ndërkombëtare, sa herë që përkthehen në anglisht qëndrimet e Flamur Nokës mbi bandat e armatosura jashtë qendrave të votimit, të lidhura me narkotrafikun të cilat intimidojnë qytetarët dhe u rrëmbejnë kartat e identitetit, brënda vëndit tek banorët që jetojnë në Shqipëri askush nuk e beson skenarin në pjesën e parë por për audiencën ndërkombëtare jo familjare me situatën në Shqiperi pjesa e parë është ajo që do të përfytyrojnë dhe kjo është një fatkeqësi për një vënd ku me qindra mijëra familje sigurojnë të ardhurat e tyre nga ardhja e turistëve të huaj.
Berisha dukshëm nuk kërkon apo lufton për respektin e shqiptarëve, i mjafton karrigia në krye të një PD-je të mbyllur, të dedikuar vetëm për interesat e tij personale.