Një tjetër pengesë për tarifat doganore të vendosura nga Donald Trump. Gjykata për Tregtinë Ndërkombëtare, një gjykatë federale me seli në Nju Jork, e cila ka juridiksion mbi çështjet e tregtisë së jashtme dhe doganave, ka anuluar të ashtuquajturat “tarifa doganore” të vendosura nga administrata e tij, duke i shpallur ato të paligjshme.
Në vendimin e publikuar të mërkurën, gjyqtarët konstatuan se Trump kishte abuzuar me Ligjin për Fuqitë Ekonomike Ndaj Emergjencave Ndërkombëtare (IEEPA), një ligj i vitit 1977, që u përdor për të justifikuar vendosjen e tarifave doganore ndaj shumicës së produkteve të importuara.

“Ligji nuk i jep presidentit të drejtën të vendosë taksa të pakufizuara mbi mallra që vijnë nga pothuajse çdo vend i botës,” thuhet në vendim.
Tarifat doganore, të paktën 10%, ishin vendosur nga Trump gjatë të ashtuquajturit “Dita e Çlirimit” me qëllimin e shpallur për të balancuar deficitin tregtar të SHBA. Por sipas gjykatës, përdorimi i IEEPA-s nuk mund të zëvendësojë pushtetin legjislativ të Kongresit, i cili është i vetmi organ që ka të drejtë të vendosë për çështje tarifore.

Vendimi rrjedh nga një sërë padish të ngritura nga biznese të vogla, si shpërndarësi i verërave V.O.S. Selections, dhe nga dymbëdhjetë shtete amerikane të udhëhequra nga Oregoni.
“Vendimi konfirmon se ligjet tona kanë vlerë dhe se politika tregtare nuk mund të varet nga humori i presidentit,” deklaroi prokurori i përgjithshëm i Oregonit, Dan Rayfield.
Reagimi i Shtëpisë së Bardhë ishte i zemëruar, ku u njoftua apelimi e vendimit.
“Nuk u takon gjyqtarëve të paemëruar të vendosin se si të përballohet siç duhet një emergjencë kombëtare,” tha një zëdhënës i administratës.