Nga Hermes Kafexhiu
Eh moj Shqipëri, ti s’ke nevojë për Netflix ti ke Saliun! Dhe këtë herë, episodi i fundit titullohej “Të dorëhiqesh dy herë nga e njëjta parti dhe brekët e rëna të Berishës”. Një spektakël politik ku hero-lideri del në skenë, zhveshur nga lavdia, por jo nga zakoni për të thirrur veten “i përndjekur politik” nga vetja!
Pas një humbjeje që s’ishte thjesht thellë, por ku shifra dukeshin si kodet e Ëi-Fi-t të ndonjë bari malor, Berisha as nuk doli për të dhënë një “dorëheqje morale”. Po të jetë për moral, ai duhej të kishte ikur që kur u shpik televizori me ngjyra.
Ky burrë që e ka kthyer PD-në në një bunker nostalgjik, për herë të dytë kërcënon të largohet nga drejtimi i partisë që ia mori peng. Në fakt, të dorëhiqesh dy herë nga e njëjta parti është si të divorcohesh dy herë nga e njëjta grua, e para herë ishe i marrë, herën e dytë je thjesht patologjik.
Por më ironikja është se kjo “dorëheqje” s’është as largim, as ndryshim, as reflektim. Është thjesht si ai momenti kur brekët të kanë rënë në mes të sheshit, por ti vazhdon të ecësh si të mos ketë ndodhur asgjë, duke shpresuar që njerëzit do të shohin tjetërkund. Por brekët janë aty. Dhe janë shumë më të mëdha se karrigia e Berishës.
Skena është absurde: një udhëheqës që rrëzohet nga vota, por ngrihet nga vetëpëlqimi. Një parti që sillet si sekt, ku ikja e liderit festohet me heshtje, dhe kthimi i tij pritet si ardhja e Mesias, por me orare të kontrolluara nga gjykata.
Të dorëhiqesh dy herë nga një parti që e ke bërë thes me lekë, ide të vjetra dhe krushqi politike, është si të kërkosh falje pas dy martesa me të njëjtën kunatë, turpi ka ikur me kohë, tashmë është veç komedi.
Ndaj o shqiptar, mos e merr seriozisht këtë akt tragjikomik. Saliu s’ka ikur thjesht ka zbritur për pak nga froni, për ta bërë “ritualin e ringjalljes”. Se në këtë vend, çdo lider që bie, s’është i rrëzuar, por “i sakrifikuar nga të tjerët”.
Dhe kështu, PD-ja mbetet pa brekë. Saliu po ashtu. Por të dy me kokën lart, sikur humbja ishte plan dhe kaosi vizion.
Sepse Shqipëria nuk është republikë parlamentare. Është teatër absurd. Dhe aktori kryesor sapo tha “lamtumirë” për të tretën herë, me të njëjtat rroba të grisura. Dhe brekë, gjithmonë të njëjtat: të rëna.