Nga Adriatik Doçi/
Partitë e Shehajt, Lapajt dhe Shabanit morën rreth 100 mijë vota në zgjedhjet e 11 majit, duke u kthyer në faktor politik në vend të ish LSI-së. Pas zgjedhjeve, kryesisht kampi humbës PD-së, po artikulohet një tezë tejet naive, e cekët dhe fyese, sipas të cilës nëse Shqipëria Bëhet dhe Mundësia do të bashkoheshin me PD-në në një koalicion parazgjedhor, dy subjektet e reja politike do të merrnin 6-7 mandate dhe fitorja e Ramës nuk do të ishte kaq e thellë.
Për të mjegulluar përmasat e humbjes, Sali Berisha rikthesoi mbrëmë se Lapajn-Shehaj refuzuan ofertën e tij për koalicion me PD-në dhe se ata nuk janë fëmijë. Madje, duke i konsideruar votuesit si thes me arra, Klevis Balliu ka shkuar më tej, duke akuzuar Lapajn, Shehajn dhe Shabanin se janë përgjegjës që Rama mori mandatin e katërt, duke lënë PD-në në opozitë.
Pyetjet që shtrohen janë;
-A do t’i votoheshin Shqipëria Bëhet dhe Mundësia nga 100 mijë zgjedhës po të bashkoheshin me PD-në në zgjedhjet e 11 majit?
-Pse duhet të votoheshin Lapaj, Shabani dhe Shehaj si pjesë e shportës së PD-së me Fatmir Mediun, Shpëtim Idrizin, Vangjel Dulen dhe Ilir Metën?
-Nëse këta votues do kishin qëllim parësor vetëm për rrëzuar Ramën nga pushteti dhe jo për të refuzuar në bllok klasën e vjetër politike, pse duhet të votonin partitë e reja kur mund t’i binin shkurt, duke votuar PD-në?
Shqipëria Bëhet dhe Mundësia janë votuar pikërisht si një alternativë opozitare nga ajo fashë e elektoratit që është kundër qeverisë Rama, por në të njëjtën kohë, kundër monopolit opozitar të Partisë Demokratike, e cila tashmë është kthyer në një biznes i mirfilltë i Familjes Berisha. Nëse ata do të ishin bashkuar me PD-në, ka gjasa që Edi Rama mund të merrte mbi 90 mandate, pasi 100 mijë zgjedhës, votë kundër klasës së vjetër politike, mund të mos merrnin pjesë në zgjedhje, duke thelluar fitoren e PS-së.
Lapaj, Shabani dhe Shehaj duhet t’a kenë lexuar mesazhin e zgjedhjeve të 2025. Nëse kanë dyshime, ata e kanë një mundësi për të rrezikuar dhe ekperimentuar me tezën berishiste. Le të bashkohen me PD-në në zgjedhjet lokale të 2029.