Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar pretendimet e Partisë Demokratike për “një rast masiv” të trenit bullgar në Peqin. Në shkresën që KQZ i ka dërguar përfaqësuesit ligjor të PD-ADSHM, Franc Nuri, mbi kërkesën për ekspertim të datës 23 maj, thuhet qartë se asnjë fletë votimi zyrtare e KQZ-së nuk ka dalë jashtë qendrës së votimit nr. 45 Peqin.

“Gjatë procesit të marrjes në dorëzim të bazës materiale të dërguar nga KZAZ nr. 45, Peqin, nuk është evidentuar ndonjë rast ku fletë votimi të papërdorura të jenë administruar jashtë kutive të materialeve zgjedhore të kësaj KZAZ-je”, është shprehur Ilirjan Celibashi.

Rasti në Peqin, u denoncua nga vetë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili tha se në Elbasan është përdorur ‘skema e trenit bullgar’. Partia Demokratike kërkoi një hetim ndërkombëtar në lidhje me materialet zgjedhore të sekuestruara në Peqin. Dervish Beqirit iu gjetën dhe sekuestruan 10 fletë votimi, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve.

Çfarë është treni bullgar?

“Treni bullgar” është një metodë për manipulimin e zgjedhjeve, pra për të ndikuar në procesin zgjedhor duke blerë vota, duke i dhënë votuesit një fletë votimi të parapërgatitur para se të hyjë në qendrën e votimit, dhe votuesi më pas nxjerr fletën e zbrazët të votimit. Numri i dëshiruar shënohet më pas në fletën e zbrazët të votimit, e cila më pas i jepet votuesit tjetër. Kështu, një nga një “treni bullgar” vazhdon të lëvizë gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve, duke mbushur kutitë.