Kandidati i Partisë Djathtas për Zhvillim, Edvin Kulluri, gjatë transmetimit maratonë në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt ka pranuar përgjegjësinë që ka opozita pas rezultateve në këto zgjedhje, ku dukshëm PS është drejt mandatit të katërt.

“Është dështim total. Në momentin që nuk ka rrotacion opozita ka dështuar dhe kjo është e paparanueshme pas 12 vitesh.

Humbja me 43 mandate në vitin 2017 është varri i opozitës dhe arkivoli i hapur, tani i vihet kapaku dhe i hidhen gurët. Përgjegjësinë më të madhe e ka lidershipi i PD. Problemi është që të gjithëve ne na mori me vete.

Varrosi veten, na varrosi ne që kemi dalë nga PD. PS duhet të votohej më keq se kaq për shkak të keqqeverisjes, por ne nuk mund t’i kërkojmë llogari PS pse del vota, duhet t’i kërkojmë llogari PD.

Kjo fitore e PS është një krizë e thellë. Kjo opozitë është një katastrofë, është e papërgjegjshme. Dolëm më vete, dështuam po njësoj. Dështuam dhe ne që kishim të drejtë, dështuan dhe ata që e kishin gabim. Ky është dështim i të gjithëve”, tha Kulluri.