Kreu i PD, Sali Berisha doli sërish në një konferencë për mediat, për të denoncuar sipas tij vjedhjen e zgjedhjeve.

Berisha u ndal edhe te operacioni i djeshëm i SPAK, në bashkëpunim me autoritetet italiane, ndërsa vijoi akuzat ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme, duke iu referuar edhe si “Poja i Skapit” dhe ‘Altin Doçi’.

Berisha i jep merita për operacionin e përbashkët vetëm antimafias italiane, ndërkohë që për Dumanin, thotë se e vonoi deri pas zgjedhjeve me qëllim.

“E kam përgëzuar dhe prapë e përgëzoj sot Antimafian Italiane. Se po të mos qe Antimafia Italiane, Elvis Doçi dhe gjithë ajo kompani do ishin duke pirë verë Romanee Conti me Edi Ramën.

Ta keni të qartë këtë. Sot, po, sepse Altin Doçi, Poja i Skapit, deklaroi dje se e kishim vendosur me Antimafien Italiane që të mos i arrestonim në kohën kur ata kërkuan, çka tregoi se ai ka mashtruar Antimafien vetëm e vetëm që kryekrimineli i Durrësit, Ergys Agasi me bandën e tij nga Edi Rama, të kryenin operacionin elektoral që kryen. Dje, Altin Doçi zhveshi veten lakuriq para shqiptarëve.

Po në qoftë se ishte qëllimi i Antimafies Italiane shtyrja, nuk nxirrte lajmërimin e gjykatës Antimafia Italiane. Ai nxori vendimet, ai solli vendimet dhe ky në emër të Edi Ramës i kërkoi leje se meqë kemi një operacion tani… të mos i arrestojmë se na duhen për votat.

Ata natyrisht kanë thënë mbikëqyreni dhe ata u thanë mirupafshim pasi mbaroi misioni. Nuk ka gjë më të turpshme. Sot në vend të tij duhet të ishte Altin Dumani. Duhet të ishte Altin Dumani në vend të Pojës sepse tregoi se ka bllokuar operacionin dhe natyrisht ai do marrë një dekoratë nga Edi Rama për përmbushjen e mirë të misionit që i bëri”, tha Berisha.