Myslim Murrizi, i cili kandidoi në listën e hapur të PD në Tiranë, ka reaguar lidhur me humbjen e thellë të opozitës më 11 maj. Në një postim në rrjete sociale, ai ka ndarë një video nga Këshilli Kombëtar i partisë, i mbajtur më 12 shkurt, ku shpreh kritika të ashpra dhe përplaset me Flamur Nokën.
Murrizi tregon se i ka dalë kundër Nokës, pasi sipas tij të gjithë deputetët që futen në listën e hapur rrezikojnë karrigen në Kuvend. Gjithashtu, Murrizi shkruan se koalicionet ishin një dështim, ndërsa thekson se PD ka pësuar dëme nga “heshtja dhe servilizmi i një grushti të pështirë hileqarësh”.
Murrizi shkruan se tani pas humbjes duhet të heshtin, pasi kur ai ngriti zërin, askush nuk foli. Teksa iu referohet si “kërminj politikë”, ai thotë se “trim pas beteje dhe të mençur pas kuvendit mund të jenë vetëm spurdhjakët”.
“Të tjerët heshtën si vemje, me bindjen që nga kjo heshtje e pështirë e ky servilizëm bajat permanent prej palaçoje do t’u siguronte një vend të sigurt në listat e qelbura për një karrige të pistë në Parlament. Prandaj, sot a ka mundësi të heshtni ju, kërminj politikë, që kurrë nuk flisni veç belbëzoni nën zë me shkumë nëpër gojë si qentë që mbyten nga kockat!”, shkruan Murrizi.
Reagimi i plotë i Murrizit:
FJALA IME NË KËSHILLIN KOMBËTAR, DATË 12 SHKURT 2025
Në këtë mbledhje me mbi 200 anëtarë të pranishëm, folën vetëm 7 anëtarë dhe votuan në të njëjtën linjë logjike të fjalës time vetëm 13 anëtarë të Këshillit Kombëtar.
Të tjerët heshtën si vemje, me bindjen që nga kjo heshtje e pështirë e ky servilizëm bajat permanent prej palaçoje do t’u siguronte një vend të sigurt në listat e qelbura për një karrige të pistë në Parlament.
Prandaj, sot a ka mundësi të heshtni ju, kërminj politikë, që kurrë nuk flisni veç belbëzoni nën zë me shkumë nëpër gojë si qentë që mbyten nga kockat!
Të gjithë drejtuesit e qarqeve, madje në disa edhe 2 për qark, nuk u futën në primare.
Në qarkun Tiranë, plot 6 të listës së mbyllur nuk guxuan të votohen nga anëtarësia.
Madje, për disa hipokritë u shkel dhe standardi i dorëheqjes nga qenia kryetar dege dhe nuk u futën as në primare.
Për fat të keq, koalicionet ishin një dështim total dhe, siç e pata deklaruar, ashtu rezultoi që partia e Metës mori 7800 vota e ka sot 4-5 deputetë, dhe Shpëtim Idrizi me 1900 vota ka 1 deputet.
Trim pas beteje dhe të mençur pas kuvendi mund të jenë vetëm spurdhjakët.
Kam qysh në shkurt 2019 që ulëras për dëmet që i ka shkaktuar PD-së heshtja dhe servilizmi i një grushti të pështirë hileqarësh.
Nuk po hyj në asnjë detaj tjetër të analizës së gjendjes së strukturave dhe fushatës dizastër të promovimit nëpër tribuna të individëve që sa herë flisnin, minimumi i hiqnin PD-së 2000-4000 vota.
Është hera e parë që po e postoj këtë video në FB tim, edhe pse më herët e kanë postuar disa media apo portale.
JU FTOJ JU, ANËTARË TË KËSHILLIT KOMBËTAR, QË HESHTNI PREJ PRILLIT 2022 E QË HESHTËT EDHE ATË DITË, E QË FLISNIT PËR PARIME E FITORE IMAGJINARE, TË PAKTËN MOS NA HAPNI BARKUN ME JARGAVITJE FB!