Partia Socialiste ka thelluar rezultatin në diasporë me mbi 47 mijë vota diferencë nga PD. Sipas të dhënave të deritanishme nga KQZ, ndërsa po numërohet edhe vota e emigrantëve të Greqisë, PS kryeson me 90 468 vota, ose 56.22%, ndërkohë që koalicioni i Sali Berishës ka 43,109 vota ose 26.79% të totalit të votave.
Votat e Greqisë për qarkun Lezhë po ngushtojnë diferencën mes PD, që deri më tani ka 4 mandate, dhe PS e cila ka marrë 3 mandate. Kjo ka bërë që PD të kërkojë rinumërim duke kontestuar rezultatin. Ndërkohë, kanë mbetur edhe 566 vota pa u numëruar, ku PD-ja kryeson me 406 vota më shumë se PS-ja.
Në vend të tretë është Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 12,803 vota, që përfaqësojnë 7.96%. Të tjera subjekte politike kanë marrë përqindje dukshëm më të ulëta. Lëvizja Bashkë ka siguruar 2.50% të votave, Partia Mundësia 3.48%, dhe Partia Socialdemokrate 1.31%. Ndërkohë, partitë e tjera si Lëvizja Atdheu, Partia Aleanca Demokracia e Re apo Koalicioni Djathtas për Zhvillim kanë rezultuar me më pak se 1% të votave secila.
Deri në këtë fazë janë numëruar 162,788 zarfe nga gjithsej 195,007 të parashikuara. Numërimi i votave të Greqisë nisi mëngjesin e kësaj të shtune pas vendimit të djeshëm të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, pasi kishin mbetur peng që prej të dielës ku u mbajtën zgjedhjet për shkak të pretendimit të PD për manipulim.
Por PD, edhe pse ka dërguar komisionerë që po monitorojnë procesin e numërimit të këtyre votave të ardhura nga Greqia, doli me një deklaratë se do t’i kontestojnë dhe do të kërkojnë që të mos përfshihen në rezultatin përfundimtar.