Nga Hermes Kafexhiu

Në 21 Janar të vitit 2011, katër qytetarë të pafajshëm u qëlluan për vdekje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. U qëlluan me armë zjarri, në zemër të Tiranës, nën një regjim të mbushur me arrogancë, frikë dhe dhunë të strukturuar. Dhe atë ditë, Sali Berisha, nga maja e pushtetit që e përdorte si bunker, i quajti “kokëpalarë”, “puçistë”, dhe mohoi çdo përgjegjësi. Ai nuk vrau vetëm trupat e tyre  vrau edhe dinjitetin e një proteste, të një populli që kërkonte llogari.

Sot, më 30 maj 2025, Berisha nuk ka më gardë të armatosur, por ka një tjetër armë më të sofistikuar: një parti të kapur, që e përdor për të eliminuar politikisht çdo zë të pavarur që sfidon autoritetin e tij absolut. Në KAS, në një spektakël të koordinuar mes PS-së dhe PD-së, kandidatët e kësaj të fundit Alimehmeti, Hajdarmataj, Hoxha e Kalaja u shkelën me votën e vetë përfaqësuesve të tyre në komision. Katër figura që nuk kërkuan tjetër veçse verifikimin e votës që morën nga qytetarët, u përjashtuan si të padëshiruar, si armiq të brendshëm. Dhe urdhri erdhi nga brenda  nga “Berishistan”-i i ri.

Ky është i njëjti model. I njëjti instinkt për të shtypur çdo liri që i rrezikon sundimin. Në 2011 ishte frika nga rruga, sot është frika nga baza. Në 2011 vrau qytetarët që dilnin përballë, sot vret politikisht kandidatët që i kishte në listë.

Hipokrizia e Berishës është flagrante. Në fjalimet publike flet për “transparencë”, por në prapaskenë nënshkruan heshtjen. U betua se do t’i mbështeste kandidatët për të kërkuar drejtësi zgjedhore, por në KAS i “ekzekutoi” me votën e emisarëve të tij. Ky është Berisha, ai nuk njeh kauzë, nuk njeh bashkëluftëtarë, nuk njeh njerëz. Njësoj si më 21 Janar, për të nuk ka viktima, ka vetëm probleme për t’u zgjidhur, dhe njerëz për t’u eliminuar.

Në këtë teatër të zi, PS dhe PD votuan bashkë, si dy krahë të të njëjtës skemë. Por përgjegjësia më e rëndë bie mbi PD-në, partinë që pretendon se po rilind nga hiri, ndërkohë që nga brenda po djeg të vetët. Në vend që të përqafojë ata që kanë legjitimitetin e votës, i përzë me neveri sepse guxuan të jenë ndryshe. Sepse guxuan të mos i binden urdhrit të liderit të pakontestueshëm.

Ilir Alimehmeti, një figurë e moderuar, me integritet dhe mbështetje popullore, sot është viktimë e të njëjtës logjikë që dikur vrau Ziver Veizin e Aleks Nikën. Nuk ka më rëndësi mënyra plumbi ose procedura rëndësi ka që sistemi që e përjashton, është ndërtuar për të mos ndryshuar kurrë. Dhe Berisha është arkitekti i tij më i palodhur.

Viktimat e 21 Janarit u harruan nga drejtësia, por u kujtuan nga historia. Viktimat e KAS-it sot mund të heshtin, por zëri i tyre është fillimi i fundit të një epoke që përpiqet të rikthehet duke rrënuar gjithçka që i kundërvihet. PD-ja nuk është më një parti  është një instrument pushteti personal, një bunker tjetër që mbrohet me vota false dhe emra të nënshtruar.

Kur Berisha i mohon të drejtën për të kërkuar transparencë kandidatëve të vet, ai nuk është më lider. Ai është kujtimi i një sistemi autoritar që nuk vritet kurrë nga jashtë  por vetëm nga brenda. Si në 21 Janar, edhe sot, viktimat janë të tijat. Thjesht nuk kanë më gjak  por kanë dinjitetin që ai përpiqet t’ua marrë me firmë dhe votë/Lexo.al