Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se Serbia duhet ta dëshmojë me vepra dhe reformat se synon vërtet të anëtarësohet në BE.
Duke folur në një konferencë për media në Beograd, Kallas tha se me zyrtarë të lartë serbë bisedoi për anëtarësimin në BE, dialogun e Brukselit dhe çështje të tjera.
“Është e qartë se anëtarësimi në BE mbetet synim strategjik i Serbisë, megjithatë, dua të theksoj se ne duhet të shohim veprime që e dëshmojnë këtë dhe i mbështesin këto fjalë. Reformat janë ato që tregojnë se si Serbia do të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, tha Kallas.
Ajo theksoi se përparimi duhet të ndodhë “këtu në Beograd dhe shtoi se hapat e radhës që Serbia duhet t’i ndërmarrë janë shumë të qartë, dhe ata përfshijnë lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe reformat zgjedhore.
“Reformat do të sjellin përfitime të vërteta për qytetarët dhe popullin e Serbisë, siç kanë kërkuar qindra mijëra studentë kanë kërkuar në javët e fundit. Autonomia e universiteteve duhet të respektohet. E ardhmja e Serbisë në BE varet nga vlerat që ajo zgjedh t’i ndjekë”, tha ajo.
Kallas nënvizoi se lidhjet e Serbisë me fqinji e saj, Kosovën, nuk kanë të bëjnë vetëm me përmirësimin e marrëdhënieve, por janë “vendimtare” për të ardhmen e Serbisë në BE.
“Ka ardhur koha të tejkalohet e kaluara dhe të përqendroheni në të ardhmen e përbashkët. Planifikoj t’i ftoj në Bruksel përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës së më shpejt për të folur për hapat konkret përpara”, nënvizoi ajo.
Kryediplomatja e BE-së do ta qëndrojë në Kosovë më 22 maj, në kuadër të turneut rajonal që e ka nisur më 21 maj, me vizitë në Serbi.
Gjatë vizitës në Beograd, Kallas është takuar në natën e së mërkurës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili ka thënë se vendi i tij “mbetet partner i besueshëm për të gjithë që sinqerisht duan bashkëpunim, përparim dhe një të ardhme të përbashkët evropiane”.
Presidenti i Serbisë ka pohuar, në një postim në llogarinë e tij, në rrjetin social Instagram, se me Kallasin ka biseduar për çështje kyç gjeopolitike, për situatën e sigurisë në rajon, për rrugën evropiane të Serbisë dhe për dialogun me Kosovën.
Ai ka thënë se Kallasit i ka theksuar se “Serbia është e vendosur për dialog konstruktiv me ndërmjetësimin e BE-së, si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, dhe se mbrojtja e serbëve në Kosovë është prioriteti ynë absolut”.
Vuçiç ka thënë se ia ka kujtuar kryediplomates së BE-së se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është vetëm obligim për të cilin jemi marrë vesh, për edhe një parakusht për përparim të mëtejmë në dialog, dhe për çfarëdo normalizimi marrëdhëniesh”.
Ajo u takua edhe kryeministrin Gjuro Macut, si dhe ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq, atë për Integrime Evropiane, Nemanja Staroviq, dhe kryetaren e Kuvendit, Ana Bërnabic, dhe grupet parlamentare opozitare, para se atje të mbajë një konferencë për media, të enjten.
Kallas më pas, gjatë ditës, do të udhëtojë drejt Prishtinës.
“Në Kosovë, përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile”, ka bërë të ditur BE-ja.
Para takimit me ta, shefja e diplomacisë evropiane ka planifikuar të mbajë një konferencë për media, në Prishtinë, në pasditen e së enjtes.
Kallas do ta vizitojë Kosovën në kohën kur autoritetet kosovare po përsërisin thirrjet për heqjen e masave ndaj vendit nga ana e BE-së, madje kanë kërkuar që kjo të ndodhë para vazhdimit të dialogut me Serbinë, të cilin BE-ja e ndërmjetëson.
BE-ja, në anën tjetër, ka kërkuar shtensionim situate në Kosovë, teksa Kosova po vazhdon membylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, gjë që ka nxitur reagimin e Brukselit.
Në Prishtinë, Kallas pritet të vizitojë edhe Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si dhe komandantin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, Enrico Barduani./REL