TIRANË- Një tjetër hap i suksesshëm u arrit këtë javë sa i takon përfshirjes së Vjosës në listën e siteve të UNESCO-s.
Komiteti Ndërkombëtar i Këshillit për Rezervat e Biosferës ka aprovuar dosjen e aplikimit.

Pritet që konfirmimi final nga UNESCO të jepet në Sesionin e 37-të të MAB, i cili më do të mbahet në muajin shtator 2025.
Kjo arritje e madhe për imazhin e Shqipërisë është përshëndetur edhe nga kryeministri i vendit, Edi Rama.

Ai thekson se ky lajm “na mbush me emocion dhe krenari pas një pune të gjatë, me një vizion të qartë”.

Kryeministri Rama:
“Një lajm që na mbush me emocion dhe krenari pas një pune të gjatë, me një vizion të qartë:
#UNESCO ka dhënë rekomandimin zyrtar që Lugina e Vjosës të shpallet Rezervat Biosfere 🌿💚
Është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar — është njohja ndaj bukurisë së egër të Vjosës, mirënjohja për njerëzit e atyre trevave që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës🇦🇱🇪🇺
Dhe asgjë nuk ka ndodhur rastësisht, por vjen pas një pune shumë intensive të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, nga vizita e parë e Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s Audrey Azoulay në Vjosë në shkurt 2023, e deri te puna e palodhur e specialistëve të zonave të mbrojtura që ndoqën çdo hap me përkushtim e profesionalizëm 🙌.

Vjosa sot nuk është vetëm lumi, por është MODELI i zhvillimit të qëndrueshëm, ku natyra frymëzon ndërsa në shtator të këtij viti pritet miratimi përfundimtar nga Këshilli i Rezervateve të Biosferës të UNESCO-s për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore si një himn për natyrën dhe për njerëzit”, shkruan Rama