Nga Alba Malltezi

Në Itali dhe jashtë saj, në vitin 2023, bëri bujë dhe pati shumë sukses filmi i Paola Cortellesi-t “C’e’ anche domani” (Ka kohë edhe nesër). Ngjarjet zhvilloheshin në Romën e pasluftës. Ishin ditë maji në kryeqytetin Italian dhe i gjithë vendi përgatitej për Referendumin e 2 qershorit 1946, për drejtimin institucional të vendit: Monarki apo Republikë! Për herë të parë do të votonin gratë. Në Italinë demokratike që njohim sot, gratë kanë mundur të votojnë për herë të parë në vitin 1946!

Filmi u pëlqye sidomos nga të rinjtë. Atë ditë që shkova dhe e pashë në kinema “Anteo” në Milano, tri vajza të reja krah meje, qanin me dënesë. Aktorja dhe regjisorja e atij filmi, Paola Cortellesi që njhej vetëm për filma komikë në Itali, bëri me dhjetëra e dhjetëra takime nëpër shkolla që t’u fliste të rinjve pikërisht për këtë: Se në Demokraci, çdo gjë që e kemi fituar, çdo gjë që e kemi arritur jo vetëm që është arritur përmes sakrificave të jashtëzakonshme, por mund ta humbim fare kollaj.

Jemi në Shqipërinë e 2025, ku disa mendojnë se është bërë e bukur, ndërsa të tjerë jo. Disa mendojnë se duhet të ecim me këtë ritëm e zhvillim, e të tjerë jo. Disa duan të jemi në familjen e madhe Europiane, e të tjerë jo. Ka shumë arsye për të votuar këtë 11 maj 2025 për të ardhmen e Shqipërisë, ndaj vota është vlera qytetare që na karakterizon të gjithëve, pavarësisht si e mendojmë.

Të drejtën e votës e kanë pasur për zemër baballarë të qytetërimit dhe civilizimit kudo në botë. Winston Churchill, një nga mbrojtësit më të mëdhenj të demokracisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, thonte “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç të gjitha formave të tjera.” Edhe Nelson Mandela, simboli i luftës kundër aparteidit në Afrikën e Jugut, na kujtonte ndryshim në një shoqëri demokratike. Mandela ëndërronte një botë ku çdo qytetar, pa dallim ngjyre apo prejardhjeje, të kishte të drejtën të dëgjohej përmes votës. Martin Luther King, në krye të betejës për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, thoshte: “Ai që nuk voton, nuk ka të drejtë të ankohet.” Mesazhi i tij është ende i vlefshëm për të gjithë ne: vota nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një detyrim. Të qëndrosh indifferent, do të thotë të heqësh dorë nga ndikimi mbi të tashmen dhe të ardhmen.

Kur me 11 maj do të shkojmë për të votuar, duhet të kemi parasysh për veten disa pyetje thelbësore: Cilat janë vlerat në të cilat besoj? Cilat projekte politike përfaqësojnë një shoqëri më të drejtë, më të barabartë dhe më solidare? Kush janë kandidatët që tregojnë koherencë, qëndrueshmëri, fakte, mes fjalëve dhe veprave?

Sidomos në këto kohë të mbushura me dezinformim dhe populizëm, kur politikanët janë dhe ushqyes të përditshëm të një dezinformimi të tillë, të votosh në mënyrë të ndërgjegjshme do të thotë të informohesh, të krahasosh ide dhe të dëgjosh edhe mendime të ndryshme nga të tuat. Vetëm kështu vota mund të jetë me të vërtetë e lirë dhe e vlefshme. “Vota është një arritje, jo një privilegj.”, thonte Presindeti italian Sandro Pertini.

Vota mbetet një akt besimi ndaj demokracisë dhe një shprehje respekti për brezat që kanë luftuar për ta fituar atë. Është një gjest i thjeshtë, por me forcë të madhe, që i jep kuptim qytetarisë dhe dinjitet lirisë.

Artistët më të mirë, kudo në botë, dhe siç italiania Paola Cortellesi është, nuhasin para të gjithëve ndryshimin e kohëve, e sidomos, rrezikun që të mosqënit zgjuar dhe vigjilent, mund të bëjë që të humbasin ato vlera që fituan të tjerë për ne, e ne ua kemi borxh t’ua dorëzojmë brezave të rinj./Shqiptarja