Pas vitit 1974, Shqipëria hyri në fazën më të thellë të izolimit të saj historik. Pas përkeqësimit të marrëdhënieve me Kinën, regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi mbylljen e çdo dritareje komunikimi me botën e jashtme.
Jo vetëm kufijtë tokësorë mbetën të blinduar, por edhe ajri u bë i pakalueshëm. Nisi zhurmimi sistematik i sinjaleve televizive nga Italia, Jugosllavia dhe Greqia.
VNA ka siguruar një dokument zyrtar të vitit 1974, ku Drejtori i Postave dhe Komunikacioneve, Perikli Pani, i dërgon Hysni Kapos planin për vendosjen e dhjetëra aparateve zhurmuese në zonat kufitare, për të bllokuar çdo valë televizive të huaj.
“Me vënien ne pune te qendrës transmetuese televizive te Dajtit u arrit te mbulohet rreth 20% e sipërfaqes së vendit tonë, kryesisht zonat fushore dhe bregdetare, ku banojne rreth 45% e popullsise. Per zgjerimin e mbulimit te vendit me sinjal televiziv, ne zonat kufitare dhe gendrat me popullsi me te dendur, vitet e fundit janè vendosur dhe do te vendosen disa persëritesa televizive te montuar ne vend; deri në fund te vitit 1974 siperfagja e mbuluar pritet te arrijë në 30% kurse si popullsi rreth 68%. Deri tani janë vendosur 18 cope persëritisa televizive ne këto vende: Kukës, Fierz, Puke, Peshkopi, Elbasan, Bulqizë, Librazhdë, Pogradec, Korçë, Ersekë, Çorovodë, Përmet, Gjirokastër, Delvinë, Sarandë, Berat, Orikum dhe Poliçan (Berat)” – thuhet ndër të tjera në dokument.
Kjo masë bashkë me zgjerimin e rrjetit të transmetuesve të brendshëm, synonte të forconte monopolin e vetëm ideologjik: Zërin e Partisë. Në këtë mënyrë, izolimi i Shqipërisë nuk ishte më vetëm politik apo diplomatik, ai shtrihej mbi mendjet, veshët dhe sytë e qytetarëve të saj.
Shqipëria u kthye në një vend ku edhe valët u ndaluan, ku çdo fjalë që vinte nga jashtë konsiderohej kërcënim, dhe ku vetmia ideologjike u ngrit në normë shtetërore. Ishte ky fillimi i mbylljes totale të vendit që do të zgjaste deri në fundin e regjimit më 1991./ VNA