Helmimi nga ushqimi në kopështin publik Nr. 1 në Gramsh vijon të jetë nën hetim. Teksa ende priten rezultatet e analizave nga mostrat e ushqimit, burime për Topchannel bëjnë me dije se infektimi i fëmijëve në Gramsh ka ardhur si shkak i konsumimit të vezës me salmonelë. Më herët, nga analizat e AKU-së, mishi i pulës dhe qumështi rezultuan negativ.

Salmonela përveç mishit të pulës apo derrit, mund të gjendet edhe tek veza, perimet dhe uji, në rastet se është kontaminuar. Vezët e përdorura në kopshtin nr.1 në Gramsh kanë qenë të kontaminuara. Më herët, nga analizat e AKU-së, mishi i pulës dhe qumështi rezultuan negativ. AKU ka marrë masën e pezullimit të aktivitetit të kopshtit nr.1 në Gramsh deri në përfundimit e të gjithë analizave dhe dezinfektimeve të mëtejshme.

Çfarë ka ndodhur në Gramsh?

Skandali i salmonelës në kopshtin e fëmijëve në Gramsh u identifikua një javë më parë kur disa fëmijë shfaqën simptoma të njëjta të sëmundjes duke nxitur dyshime tek mjekët të cilët kërkuan analiza të mëtejshme. Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi se nga analizat e kryera ndaj 79 fëmijëve, 17 prej tyre kanë rezultuar pozitivë me ‘Salmonella Enteritidis’. Për 6 fëmijë të tjerë pritet të dalin përgjigjet por edhe ata kanë rezultuar me rritje të ngarkesës bakteriale.

Helmimi masiv u raportua më 24 maj, por prindërit kanë rrëfyer se që ditën e martë të javës së kaluar, fëmijët kanë pasur simptoma si diarre, ethe, temperaturë e të vjella. Shkak dyshohet se është bërë ushqimi që fëmijët konsumonin në kopësht, i cili dërgohej nga kompania “Nelsa SHPK”, një kompani që ka fituar tenderin për furnizimin me ushqim të kopshteve dhe çerdheve në Gramsh. Për rastin kanë nisur hetimet nga Prokuroria e rrethit të Elbasanit.