Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka refuzuar propozimin e Rusisë për një armëpushim 3-ditor, duke e quajtur atë një “teatër” dhe duke kërkuar në vend të tij një armëpushim 1-mujor, të mbështetur nga aleatët perëndimorë.
“Një armëpushim pa kushte është modeli i propozuar nga amerikanët. Ne po ndjekim këtë model, kurdo që ai të hyjë në fuqi. Le ta provojmë për 30 ditë, pasi në tre, pesë apo shtatë ditë është e pamundur të arrihet një marrëveshje,” deklaroi Zelensky.

Propozimi i presidentit rus Vladimir Putin për armëpushim për datat 7-9 maj, në kuadër të paradës së Ditës së Fitores në Moskë, është hedhur poshtë nga Kievi, i cili shprehet se nuk mund të garantojë sigurinë e liderëve të huaj që do të marrin pjesë në këtë aktivitet.
Zelensky shtoi se përballë agresionit të vazhdueshëm rus, një pushim simbolik disa ditor nuk ka vlerë reale në terren dhe nuk kontribuon në zgjidhjen e konfliktit.
Ndërkohë, gjatë natës mes së premtes dhe së shtunës, një sulm ajror rus goditi qytetin e Kharkivit, duke lënë të paktën 47 të plagosur. Sipas autoriteteve lokale, sulmi me dron ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, infrastrukturë civile dhe automjete.
Duke komentuar situatën, presidenti Zelensky i ka bërë sërish thirrje vendeve aleate për të rritur mbështetjen ushtarake, veçanërisht në mbrojtjen ajrore.
“Ndërsa bota heziton me vendimmarrjen, thuajse çdo natë në Ukrainë përjetohen makthe që marrin jetë njerëzish. Vendi ynë ka nevojë për mbrojtje ajrore dhe vendime të fuqishme nga partnerët që kërkojnë paqen,” theksoi ai.