Një analizë politike për zgjedhjet e 11 majit, me fokus në sfidat, ofertat dhe prirjet rajonale

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit mbahen në një moment kyç për vendin, ku për herë të parë në dekada, Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të qartë: të vijojë me ritmin e reformave dhe stabilitetit të krijuar gjatë tri mandateve të fundit, apo të kthehet në një fazë pasigurie dhe eksperimentimi me forca ende të paqarta në profil dhe kapacitete.

PS – kandidatura e qartë për stabilitet dhe vijimësi
Partia Socialiste hyn në këto zgjedhje si forca e vetme që ofron një projekt të qëndrueshëm për qeverisjen e vendit. Me një axhendë të qartë integrimi, investimesh të mëdha dhe reformash institucionale, PS ka demonstruar aftësi për të ruajtur stabilitetin politik dhe financiar të vendit në kohë krizash globale.

Edi Rama, në vijim të udhëheqjes së tij, ka kërkuar besimin për një mandat të katërt, duke theksuar se projektet madhore si transformimi i Durrësit në një nyje logjistike mesdhetare, revolucioni energjetik dhe reformat në drejtësi janë tashmë në një fazë ku nuk duhet ndërprerë vrulli. Ai nuk e ka ndërtuar fushatën mbi fjalë, por mbi fakte dhe shifra: rritje ekonomike e qëndrueshme, investime të huaja direkte në rritje dhe besueshmëri ndërkombëtare.

PD – një opozitë në krizë legjitimiteti dhe përfaqësimi
Nga ana tjetër, Partia Demokratike vjen në këto zgjedhje më e fragmentuar se kurrë. Rikthimi i Sali Berishës në krye të PD-së ka ndikuar jo vetëm në imazhin ndërkombëtar të opozitës, por edhe në funksionimin e brendshëm të strukturave të saj. Përçarjet e vazhdueshme, mungesa e një platforme të re dhe reduktimi i debatit politik në akuza personale kundër qeverisë, kanë ndikuar që PD të mos shihet si alternativë e besueshme në një pjesë të gjerë të elektoratit.

Edhe në qarqet ku tradicionalisht PD ka pasur mbështetje të fortë, si Shkodra apo Kukësi, strukturat duket se janë më të dobëta dhe votuesit të pavendosur. Mosangazhimi i një gjenerate të re në lidership dhe retorika e kthimit pas në kohë, kanë bërë që shumë votues të qendrës të kërkojnë alternativa të tjera.

Forcat e reja – entuziazëm, por pa infrastrukturë politike
Shfaqja e aktorëve të rinj si “Shqipëria Bëhet” me Adriatik Lapajn dhe “Partia Mundësia” me Agron Shehajn, ka shtuar pluralitetin në fushatën elektorale, por këto forca ende përballen me sfidën e mungesës së organizimit në terren dhe mungesës së një trupe të përgatitur politike. Lapaj ka ndërtuar një profil të fortë qytetar, por nuk ka dhënë ende prova sesi ky angazhim do të përkthehet në menaxhim të institucioneve apo reforma konkrete.

Ndërkohë, Lëvizja Bashkë, e udhëhequr nga Arlind Qori, mbetet një zë proteste me thekse ideologjike të majta, por pa ndikim të gjerë elektoral, përtej një segmenti të ngushtë urban dhe akademik.

Tirana – zemra e betejës politike
Tirana mbetet qarku ku pritet të vendoset fati i shumicës. PS ka avantazhin e organizimit të brendshëm, të një strukture të konsoliduar dhe të një performance të mirënjohur në qeverisjen e bashkisë, që reflektohet në vullnetin qytetar për të vijuar projektet transformuese urbane. Opozita, megjithatë, tenton të krijojë zhurmë në këtë qark, por shpesh ajo përplaset me mungesën e kohezionit dhe mbivendosjen e disa forcave opozitare që luftojnë për të njëjtën bazë votash.

Qarqet e tjera – rikonfirmim i modelit të stabilitetit
Në qarqet e jugut, Partia Socialiste vijon të ruajë një dominancë të qartë, veçanërisht në Fier, Vlorë dhe Elbasan. Investimet në infrastrukturë, ujësjellës dhe energji janë kthyer në faktorë që kanë rritur besimin e qytetarëve ndaj PS-së. Edhe në qarqet e mesme si Berat dhe Korçë, qeverisja vendore dhe bashkëpunimi mes niveleve të pushtetit ka krijuar një atmosferë pozitive për vijimësinë e mazhorancës.

Në veri, ndonëse PD ruan njëfarë mbështetje në zona të caktuara, rritja e PS-së në Dibër dhe Lezhë tregon për një përmbysje të heshtur elektorale, veçanërisht tek të rinjtë që shohin më shumë mundësi në një forcë që qeveris sesa në një opozitë që lufton me veten.

Vota e diasporës – një faktor i ri, por i ndjeshëm
Për herë të parë, vota e diasporës hyn në lojë në mënyrë të organizuar. Kjo është një fitore institucionale që PS e ka përmendur shpesh si shenjë e seriozitetit për reformën zgjedhore. Pritshmëritë janë që vota e emigrantëve të ndikojë ndjeshëm në qarqe si Tirana dhe Durrësi, por edhe në Korçë e Elbasan, ku një pjesë e madhe e komuniteteve në emigracion janë politikisht të moderuar dhe kërkojnë stabilitet.

Një palë zgjedhje me peshë historike
11 maji nuk është thjesht një datë zgjedhjesh. Është një moment reflektimi për shoqërinë shqiptare. Do të vijojë Shqipëria me një qeverisje që ka garantuar stabilitet, rritje ekonomike dhe mbështetje ndërkombëtare, apo do të ndërpresë këtë cikël në emër të një opozite që ende nuk ka gjetur gjuhën e bashkimit e as gjuhën e qeverisjes?

Përballë kësaj zgjedhjeje, votuesi shqiptar është më i qartë se kurrë më parë. Ndryshimi i vërtetë, nuk është eksperimentimi me ide të paqarta, por rritja përmes konsolidimit të arritur tashmë. Dhe kjo, është një betejë që nuk fitohet me retorikë, por me rezultate./LEXO.AL