Mbi 1200 familje do të përfitojnë nga Programi Kombëtar i Strehimit social. Sipas ministrisë së Ekonomisë, 35 bashki janë shpallur fituese me një vlerë investimi rreth 1 miliard lekë nga buxheti i shtetit.

“Përfitojnë 1.253 familje të ardhura nga bashkitë e vendit, të miratuar me vendim të këshillit bashkiak. Padyshim numri i tyre ka qenë dyfishi i tyre, por në zbatim të kontrollit që është bërë nga komisioni i vlerësimit ka rezultuar se 1.253 familje që do t’i nënshtrohen restaurimet të banesave. Vitet që kemi lënë pas kanë qenë vite të cilët përfitues kanë qenë rreth 700-800 familje, ndërkohë ketë vit kemi të bëjmë me një dyfishim të saj. Për 1.253 familje është miratuar një fond prej 1 miliard lekësh”, deklaroi drejtoresha e Strehimit Social, Dardana Grabovaj.

Sipas Drejtoreshës së Strehimit Social, Dardana Grabovaj, Ministria e Ekonomisë ka përzgjedhur edhe individët përfitues të cilët vijnë kryesisht nga shtresat në nevojë.

“Ky është një program i cili i vjen në nevojë familjeve me ndihmë ekonomike, nënave kryefamiljare, të moshuar, vetmuar, familje më persona me aftësi të kufizuar, familje, emigrantë të rikthyer, pra janë kategori sociale për të cilat të ardhurat e tyre janë të ulëta, po dhe fare. Financimi do të fillojë korrik-gusht dhe zhvillimi i projektit po në këto muaj radhazi” tha ajo.

Për të 35 bashkitë që janë shpallur fituese do të alokohen fondet nga ministria e Ekonomisë. Më pas nis procedura nga bashkitë për prokurimet dhe tenderimet dhe menjëherë fillojnë punimet tek secila banesë e përzgjedhur.