Më 17 qershor 1970, 55 vite më parë në stadiumin “Azteca” në Mexico City (kryeqyteti i Meksikës), u luajt ajo që ka hyrë në histori si “Ndeshja e Shekullit”. Italia mundi Gjermaninë Perëndimore 4-3 në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 1970 në fund të një ndeshjeje të paharrueshme.
Lojtari i Interit, Boninsegna, i dha “të kaltërve” epërsinë pas minutës së 8-të dhe në kohën shtesë të pjesës së dytë, lojtari i Milanit, Schnellinger, barazoi për Gjermaninë. Koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1.
Në kohën shtesë, epërsia e përkohshme e Gjermanisë erdhi nga golashënuesi më i mirë i turneut, Gerd Müller. Para përfundimit të shtesës së parë, Burgnich dhe Riva e përmbysën përsëri rezultatin. Në minutën e 110-të, i zakonshmi Müller (10 gola në turne) e çoi rezultatin në 3-3.
Pak sekonda më vonë u shënua goli vendimtar i Gianni Riverës, që vulosi fatin e një ndeshjeje që është futur në librat e historisë.
Rekordi prej 5 golash në kohën shtesë në një Kupë Bote mbetet në fuqi prej 55 vitesh.
Meksikë 1970, gjysmëfinalet e Kupës së Botës. Stadiumi ‘Azteca’ në Mexico City – Meksikë. Pjesëmarrja: 102,444 tifozë në stadium. Golat: Boninsegna (8′), Schnellinger (90+2′), Muller (94′), Burgnich (98′), Riva (104′), Muller (110′), Rivera (111′).
Statistikat
Rreth 30 milionë italianë, 57 përqind e popullsisë së vendit e ndoqën ndeshjen, pavarësisht se ajo përfundoi pothuajse në orën 2 të mëngjesit.
Karl-Heinz Schnellinger nuk shënoi në asnjë nga 46 ndeshjet e tjera ndërkombëtare, ose në 222 paraqitje në ligë për Milanin.
Vetëm 20.9 sekonda pasi Rivera kishte qenë fajtor për golin e barazimit të Gjermanisë Perëndimore, ai shënoi golin e fitores.
Gjermania Perëndimore regjistroi një shifër marramendëse prej 46 gjuajtjesh në portë, një rekord për një ekip në një ndeshje të Kupës së Botës që kur statistikat e detajuara u regjistruan nga ‘Angli 1966’ e tutje.
Pesë golat e shënuar në kohën shtesë janë një rekord i Kupës së Botës. Vetëm një ndeshje tjetër ka përfshirë më shumë se tre, me Francën dhe Gjermaninë Perëndimore që shënuan katër së bashku në 30 minutat shtesë në ‘Spanjë 1982’.
Nëse ndeshja do të ishte barazuar në minutën e 120-të, një hedhje monedhe në dhomën e zhveshjes së gjyqtarit do të kishte përcaktuar se kush do të arrinte në finale. Gjuajtjet e penalltive u futën vetëm për ‘Argjentinë 1978’.
Italia e kishte fituar gjysmëfinalen e EURO 1968 nëpërmjet një hedhjeje monedhe brenda dhomave të gjyqtarëve. Tifozët e Italisë e mësuan se kishin fituar vetëm kur kapiteni Giacinto Facchetti doli nga tuneli i stadiumit ‘San Paolo’ duke kërcyer lart e poshtë në shenjë festimi.
Në muret e ‘Estadio Azteca’ ka pllaka që përkujtojnë “Ndeshjen e Shekullit” dhe “Golin e Shekullit” të shënuar nga Diego Maradona i Argjentinës kundër Anglisë në vitin 1986.