7 vatra zjarri në vend, shuhen 5, vijojnë të jenë aktive 2 – Ministria e Mbrojtjes publikon bilancin zyrtar

Ministria e Mbrojtjes ka bërë publik bilancin zyrtar të situatës së zjarreve në vend. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, gjatë orëve të fundit janë raportuar 7 vatra zjarri.

“Nga këto janë shuar 5 vatra zjarri dhe janë aktive 2 vatra zjarri,” njofton Ministria e Mbrojtjes.

Pas një pune intensive të forcave operacionale në terren është bërë i mundur izolimi dhe shuarja e plotë e vatrave në:

Fshatin Ndërfan, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë;

Zonën e Astirit, njësia administrative nr. 14, bashkia Tiranë;

Lagjen “Ish-Fidanishtja”, njësia administrative Rajoni 5, bashkia Vlorë;

Fshatin Amonicë, njësia administrative Sevaster, bashkia Selenicë;

Fshatin Shijon, njësia administrative Bradashesh, bashkia Elbasan.

Ndërkohë, sipas Ministrisë, aktualisht vijojnë të jenë aktive 2 vatra zjarri:

1. Qarku Vlorë
Në bashkinë Himarë, janë fikur vatrat në Porto Palermo dhe në zonën Qafë Lerë – Llaman, ndërsa vijon të jetë aktive vatra në vendin e quajtur Vumlo, në afërsi të fshatit Kudhës.
“U izolua fillimisht, por për shkak të intensitetit të erës dhe nxehtësisë, zjarri është përhapur në një sipërfaqe ku është e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit të vështirë,” thuhet në njoftim.
Po punohet me mjete rrethanore dhe pompa shpine nga forcat e MZSH, Shërbimi Pyjor dhe ndërmarrja e shërbimeve të bashkisë.
“Nuk ka rrezik për zonat e banuara,” theksohet më tej.

2. Qarku Kukës
Në fshatin Kolsh, njësia administrative Mamëz, bashkia Kukës, po vijon puna për fikjen e zjarrit të rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane.
“Po punohet me 2 automjete zjarrfikëse me 10 efektivë, 1 fadromë, 1 ekskavator, 4 kamionë nga Drejtoria e Shërbimeve të Bashkisë,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Ministria e Mbrojtjes thekson se forcat operacionale mbeten në gatishmëri për çdo situatë emergjente, ndërsa po monitorohet nga afër zhvillimi i situatës në terren.