Dua Lipa i bëri një surprizë të veçantë fansave të saj duke ftuar në skenë grupin legjendar Jamiroquai, gjatë koncertit të saj të parë ndonjëherë në Wembley Stadium.

Ylli i popit solli në skenë këngëtarin kryesor të grupit, Jay Kay, për një interpretim të vetëm të hitit të vitit 1996 “Virtual Insanity”, ndërsa e përshkroi atë si “një pionier të jashtëzakonshëm të muzikës britanike”.

Performanca e tyre ndodhi në mes të një spektakli dy-orësh mbresëlënës, ku Lipa interpretoi disa nga hitet e saj më të mëdha si “Physical”, “One Kiss”, “New Rules” dhe “Levitating”.

“Ky është një moment vërtet i jashtëzakonshëm për mua,” u tha ajo 70 mijë fansave të pranishëm. “Ndihem sikur e kam pritur gjithë jetën këtë moment.”

Duke reflektuar mbi rrugëtimin e saj në majat e muzikës pop, 29-vjeçarja shtoi: “Kanë kaluar 10 vite që nga koncerti im i parë në Londër, ku ishin vetëm rreth 350 vetë, dhe atëherë ëndërroja për një natë si kjo.”

“Të jem përballë 70 mijë njerëzve… jam e tronditur dhe thellësisht e prekur.”

Më pas ajo prezantoi një nga këngët e saj të para, “Hotter Than Hell”, duke u thënë fansave se ishte pikërisht kjo këngë që i siguroi kontratën e parë muzikore.

Që prej asaj kohe, ajo ka mbledhur një repertor të pasur me hite të padiskutueshme, shumica e të cilave u interpretuan gjatë mbrëmjes së së premtes.

Koncerti nisi me një atmosferë mistike, të shoqëruar nga tinguj oqeanikë që u shkrinë natyrshëm me këngën e saj të vitit 2024 “Training Season”. Dua Lipa e nisi me një interpretim të ngadaltë të strofës së parë, mbi një sfond orkestral sensual, por shumë shpejt ritmi mori hov dhe pulsi disko nuk u ndal për dy orët në vijim.

Zëri i saj mbetet një pikë e fortë – rezonant dhe fleksibël, me një nuancë të ngjirur që duket se e ka trashëguar nga i ati, këngëtari shqiptar i rokut, Dukagjin Lipa, shkruan BBC.

Ky potencial vokal u shfaq në mënyrë të veçantë në kalimet vokale të këngës “Falling Forever”, si dhe në tingujt me ndikim flamenko të “Maria”.

Pavarësisht koreografisë kërkuese dhe lëvizjeve dinamike trupore – që herë pas here të kujtonin videot e fitnesit të Jane Fonda-s në vitet ’80 – Lipa ia doli të mos humbasë frymën. Ajo e përqafoi këtë element me një ndërhyrje argëtuese, duke i nxitur fansat që “të lëviznin ijet” gjatë hyrjes së këngës “Physical”.

Jay Kay u prit me britma entuziazmi nga pjesëtarët më të rritur të audiencës, i veshur me një xhaketë të bardhë me thekë dhe xhinse rozë.

“Çfarë privilegji dhe nderi të jem në skenë me ty,” tha ai, përpara se të niste interpretimin e “Virtual Insanity”, këngë që u bë hit kur Dua ishte vetëm një vjeç.

Në pauzat mes këngëve, ylli i popit kaloi kohë me fansat në rreshtin e parë – duke u marrë telefonat për selfie, nënshkruar disqe (pyetja mbetet: kush e merr një disk vinyl në vijën e parë të një koncerti stadiumi?) dhe madje duke dhuruar edhe shallin e saj.

Ishte një gjest i thjeshtë, por personal, që shpjegon më së miri pse Dua Lipa është bërë vetëm gruaja e dytë britanike pas Adele që kryeson një koncert në Wembley Stadium.

E ndjekur nga tribunat nga familja e saj, përfshirë të fejuarin Callum Turner, Dua Lipa mbylli koncertin me hitet e saj më të mëdha: “New Rules”, “Don’t Start Now”, “Dance The Night” dhe “Houdini”.

Një performancë fuqiplotë nga një yll në kulmin e karrierës së saj, koncerti ishte dëshmi se nuk ke nevojë për skenografi gjigante mekanike apo teknologji video të sofistikuar për të realizuar një shfaqje magjepsëse në stadium.

Ndonjëherë, mjaftojnë këngët e duhura, koreografia precize dhe një dozë e madhe energjie pozitive për të krijuar një përvojë të paharrueshme.

Si një bonus shtesë, kjo qasje mban të përballueshme edhe çmimet e biletave: vendet më të shtrenjta kushtonin 155 paund, krahasuar me koncerte të tjera në stadium këtë verë, ku çmimet kanë kaluar edhe 900 paund.

Dua Lipa vijon turneun e saj Radical Optimism me një koncert të dytë në Wembley të shtunën, e më pas në Liverpool dhe Londër, përpara se të nisë pjesa amerikane e turit në shtator. /BBC/