Autorja dhe moderatorja e emisionit “Ftesë në 5”, Bieta Sulo, ka përgënjeshtruar lajmet e publikuara ditët e fundit, ku raportohej se ajo do të largohet nga Top Channel.

Në nisje të emisionit këtë pasdite, Bieta tha:

“Një tjetër lajm shumë i diskutuar i fundjavës ka qenë largimi i Bieta Sulos nga Top Channel. Aq sa dhe njerëz shumë të afërt më shkruanin: ‘Çfarë po ndodh?’ Lajmi merr dhenë dhe besohet edhe nga njerëz të afërt në përmasa të tilla. Madje dhe punëtorët e skenografisë kur erdha sot më thanë: ‘A ta vazhdojmë këtë punë?’

Ka zierë rrjeti për këtë gjë, por që këtu do të jem në Top Channel. Përkon me 20 vitet e mia ne Top Channel, dhe në këtë 20 vjetor, jo vetëm që do të jemi nga shtatori së bashku, por është duke u punuar për një skenografi të re për të ardhur në një sezon të ri televiziv me më shumë energji dhe vrull, pas 7 vitesh të suksesshme që kemi lënë pas”, u shpreh ajo.

Prej disa ditësh, në disa portale online qarkulloi lajmi se sezoni aktual mund të jetë i fundit për Bieta Sulon si moderatore dhe autore e emisionit “Ftesë në 5” në Top Channel. Sipas këtyre burimeve, ajo do të zhvendosej në Radio Televizionin Shqiptar sezonin e ardhshëm televiziv.

Por, të tilla raportime janë hedhur poshtë nga ky reagim i autores dhe moderatores.

Bieta Sulo është moderatorja më jetëgjatë në këtë fashë orari në Top Channel.