Më konformistë, të shkëputur nga idetë tona, më pak të aftë për të menduar në mënyrë të pavarur dhe, mbi të gjitha, më pak të aftë për të mësuar. A po na bën inteligjenca artificiale më budallenj?

Kjo është një pyetje legjitime pas publikimit (paraprak) të një studimi të ri eksperimental të realizuar nga Media Lab i Massachusetts Institute of Technology mbi efektet e “modeleve të mëdha gjuhësore” (large language models).

Titulli i studimit

Studimi ka një titull të drejtpërdrejtë: “Truri yt dhe ChatGPT: grumbullimi i borxhit njohës nga përdorimi i një asistenti me inteligjencë artificiale për detyra shkrimi.”

Në krye të këtij studimi është Natalia Kosmyna, një kërkuese me doktoraturë në informatikë, e specializuar në ndërveprimin mes kompjuterëve dhe trurit të njeriut. Modeli i kërkimit i ndjekur nga Kosmyna dhe kolegët e saj — përfshirë neuroshkencëtarë dhe studiues të gjuhës — ishte tërësisht eksperimental.

Tre grupet pjesëmarrëse në studim

Kosmyna formoi tre grupe nga një kampion prej 54 vullnetarësh, duke i ngarkuar secilin pjesëmarrës të shkruante nga tre tekste të shkurtra gjatë tre sesioneve të njëpasnjëshme, mbi tema të përcaktuara paraprakisht, në një periudhë tremujore.

Grupi i parë (“Vetëm truri”) mund të shkruante vetëm duke u mbështetur në kapacitetin e vet mendor, pa akses në internet apo në ndonjë ekran.

Grupi i dytë kishte në dispozicion motorin e kërkimit Google.

Grupi i tretë kishte akses në inteligjencën artificiale gjeneruese, në veçanti në ChatGPT të OpenAI.

Truri i pjesëmarrësve në të tre grupet u analizua përmes elektroencefalografisë, duke i lidhur me elektroda gjatë kohës që përmbushnin detyrën e shkrimit.

Lidhja cerebrale

Rezultatet janë befasuese – si në fazën e menjëhershme të eksperimentit, ashtu edhe në efektet që ai pati më pas në sjelljet dhe aftësitë mendore të pjesëmarrësve në test.

Në radhë të parë, gjatë procesit të vetë shkrimit, pjesëtarët e tre grupeve shfaqën një aktivizim shumë të ndryshëm të trurit. Në krahasim me grupin që shkruante pa ndihmë digjitale, grupi që kishte akses vetëm në motorin e kërkimit Google shënoi një lidhje cerebrale nga 34% deri në 48% më të ulët; ndërsa grupi që kishte akses në ChatGPT (në formën e GPT-4o) shfaqi një ulje të lidhjes cerebrale prej 55%. Me fjalë të tjera, sa më i madh të jetë mbështetja teknologjike, aq më shumë reduktohet shkalla e aktivitetit të trurit.

Zonat e trurit të përfshira

Ndoshta një rezultat i tillë ishte i pritshëm. Por edhe cilësia e punës ndryshon.

Grupi “Vetëm truri” tregoi një aktivizim të qartë të zonave të trurit të lidhura me krijimtarinë, integrimin e kuptimeve dhe vetë-monitorimin – funksione thelbësore për të gjeneruar përmbajtje, për ta planifikuar dhe për ta rishikuar atë.

Ndërsa ata që përdorën Google, aktivizuan kryesisht korteksin okcipital dhe atë vizual – zonat që përpunojnë informacionin përmes shikimit, duke e thithur atë nga ekrani dhe më pas duke e përmbledhur.

Në fund, ata që përdorën ChatGPT aktivizuan kryesisht zonat që lidhen me funksione thuajse automatike dhe që operojnë brenda një strukture të jashtme të gatshme.

Çfarë po ndodh me inteligjencën artificiale?

Tekstet e prodhuara rezultuan shumë të ndryshme nga njëra-tjetra në rastin e grupit “Vetëm truri”, por jashtëzakonisht të ngjashme dhe homogjene te grupi që përdori inteligjencën artificiale. Në thelb, mbështetja te AI gjeneron konformizëm në mendim dhe në mesazhe.

Por këtu erdhi edhe një tjetër surprizë: në 83% të rasteve, ata që kishin punuar me ChatGPT hasën vështirësi për të cituar fraza nga vetë tekstet që kishin shkruar, madje edhe vetëm pak minuta pas dorëzimit të tyre; sikur ata që kishin përdorur AI të mos kishin zhvilluar asnjë ndjenjë përkatësie me përmbajtjen që kishin prodhuar. Gjithë vëmendja ishte përqendruar vetëm në riprodhimin pasiv të informacionit të gjeneruar nga jashtë.

Në të kundërt, pothuajse të gjithë ata që kishin punuar pa ndihmë ishin në gjendje të citonin thuajse saktë fraza nga tekstet e saposhkruara, duke treguar shumë më tepër përqendrim në përmbajtjen dhe kuptimin e punës së bërë (jo vetëm në mënyrën e saj).

Koncepte që nuk përvetësohen

Në përfundim, përdorimi i inteligjencës artificiale i ka kthyer pjesëmarrësit në përpunues të thjeshtë të koncepteve, të cilat ata vetë nuk i përvetësojnë.

Më pas, tekstet u vlerësuan si ese të vogla shkollore. Vlerësuesit me inteligjencë artificiale dhanë nota më të larta për tekstet e shkruara me po të njëjtën AI. Por mësuesit dhe vlerësuesit njerëzorë e kuptuan menjëherë cilat ishin tekstet e gjeneruara nga AI dhe i vlerësuan më ulët në krahasim me të tjerat.

Përmbysja e grupeve

Por ajo që ndodhi më pas është edhe më shqetësuese dhe jep shumë për të reflektuar.

Në fakt, u zhvillua një seancë e katërt e testit, në të cilën rolet e pjesëmarrësve u përmbysën: grupit që deri atëherë kishte përdorur gjithmonë inteligjencën artificiale iu kërkua të shkruante një tekst mbi një temë të caktuar pa asnjë mbështetje digjitale; ndërsa grupi që deri në atë moment kishte shkruar vetëm me burimet e veta mendore u lejua të përdorte ChatGPT.

Rezultati është i tillë që pritet të hapë një debat të gjerë mbi rreziqet e përdorimit të inteligjencës artificiale.

Ata që ishin mësuar të përdornin ChatGPT treguan vështirësi për të rikrijuar aktivitetin intensiv të trurit, të pasur me lidhje dhe përpunime, që nevojitet për të zhvilluar përmbajtje në mënyrë të pavarur. Tek këta pjesëmarrës u shfaq ajo që kërkuesja Kosmyna e quan një “borxh njohës” (cognitive debt). Tema e kërkuar në tekst ishte e njëjtë me atë të seancave të mëparshme, por vetëm dy nga dhjetë pjesëtarë të këtij grupi arritën të përmendnin ndonjë element të vetëm, tani që mbështeteshin vetëm te mendja e tyre.

Në të kundërt, ata që në fillim kishin përdorur vetëm trurin e tyre, duke e stërvitur në mënyrë të pavarur, arritën të prodhonin tekste më të pasura dhe më të sakta pikërisht kur u dha mundësia të përdornin AI në seancën e fundit.

Kjo tregon se përdorimi i hershëm dhe i vazhdueshëm i inteligjencës artificiale, pa ushtrimin e vetë kapaciteteve njohëse, mund të dëmtojë aftësinë për mendim kritik dhe krijim të pavarur.

Aktivizim më i dobët i trurit

Edhe elektroencefalografia konfirmoi rezultatet e eksperimentit. Ata që ishin mësuar të mbështeteshin te ChatGPT shfaqën një aktivizim më të dobët të trurit kur u përballën me detyrën pa asnjë mbështetje digjitale, sikur mendja e tyre të ishte bërë më përtace, më pak krijuese, më e varfër në gjykim dhe me një kujtesë më të cekët.

Ndërkohë, ata që kishin mësuar më parë të mendonin dhe të prodhonin në mënyrë të pavarur, arrijnë të forcojnë kapacitetet e tyre njohëse kur përdorin ChatGPT – duke e shfrytëzuar AI si një mjet për të rritur aftësitë, jo për t’i zëvendësuar ato.

Përfundimet

Në përfundim të studimit thuhet:

“Kur pjesëmarrësit riprodhojnë sugjerimet e inteligjencës artificiale pa vlerësuar saktësinë apo përshtatshmërinë e tyre, ata jo vetëm që heqin dorë nga përvetësimi i ideve të shprehura, por rrezikojnë të përthithin perspektiva të cekëta ose të shtrembëruara.”

Me fjalë të tjera, bëhen individë më të manipulueshëm nga çdo lloj propagande apo interesi.

Implikimet për demokracinë, për shkollën apo universitetin janë të mëdha: një shoqëri e njerëzve të lirë dhe të aftë për të përpunuar ide dhe për të formuar gjykim të pavarur mund dhe duhet ta përdorë inteligjencën artificiale – por vetëm pasi të ketë stërvitur mjaftueshëm dhe për një kohë të gjatë inteligjencën natyrore./Corriere della Sera