Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, bëri prezantimin e projektligjit “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa” në komisionin për Ekonominë dhe Financat pasi qeveria e ka miratuar teksa synohet përmirësimi i menaxhimit të hapësirave të përbashkëta dhe rritja e cilësisë së jetës në komunitetet urbane.
Në bazë të projektligjit, të gjithë qytetarët që kanë në pronësi një banesë në një pallat do të pajisen për herë të parë edhe me certifikatën e bashkëpronësisë, në të cilën do të detajohen hapësirat e përbashkëta të familjeve që banojnë. Mazniku tha sot në Komision se caktimi i administratorit do të jetë detyrim, ndërsa tarifa që do paguhet do të caktohet nga vetë asambleja e pronarëve të pallatit.
Ai shtoi se përveç pagesës së administrimit dhe mirëmbajtjes së pallatit, banorët do të paguajnë çdo muaj një tjetër tarifë që do të përdoret për riparime të mëdha, si sistemet kapot, eficencë energjie apo vendosje ashensori. Gjitashtu ministri tha se ndryshe nga sa ka funksionuar, kur administratori merr pagesën pa faturë dhe ku shumica e pallateve nuk kanë fare administrim, me këtë projektligj të ri, fatura e administrimit do të jetë titull ekzekutiv.
Pjesë nga fjala e Maznikut në Komision:
Ligji krijon mundësinë që për çdo apartament të dalë edhe një certifikatë bashkëpronësie. Kjo krijon qartësinë për bashkëpronësisë. Ligji parashikon që tarifa përcaktohet nga asambleja. Kur nuk e caktojnë administratori e merr tarifën në bazë të referencës së caktuar nga bashkia që merr për bazë një sërë elementësh mbi tipologjinë e ndërtesës.
Për grupet vulnerabil u jepet e drejta bashkive që të vlerësojnë rastet që të mbështesin si për tarifë grupet vulnerabil ashtu edhe për mirëmbajtjet e qenësishme kur duhen bërë. Kur nuk paguhet tarifa do të ketë një shënim hipotekor, që në dokumentin hipotekor thuhet se subjekti në fjalë ka X detyrim dhe nuk bëhen dot veprime mbi pronën pa u shlyer detyrimi. Shton mekanizimin për të mbledhur paratë dhe zgjidh edhe problemin e banorëve që janë emigrantë.
Kur i vjen koha një pallati për tu riparuar kostoja i takon pronarëve të objektit dhe jo bashkisë. Për këtë arsye përveç tarifës një pagesë mujore e posaçme do të bëhet për këto riparimet e mëdha. Por ky mekanizëm nuk i ndalon bashkitë të ndërhyjnë kur e shohin të arsyeshme.
Administratori do të ketë nipt, dhe do të lëshojë fatura që të njihen si titull ekzekutiv, do hapë llogari në emër të NIPT-it. Libri i bashkëpronësisë, do të jetë detyrë e çdo bashkie që të krijojë një regjistër që përmban llojin e ndërtesës, vitin kur është ndërtuar, tipologjinë e ndërtesës, organet e kryesimit, asamble administrator, certifikatën e bashkëpronësisë, fondin rezervë. Përmes këtij regjistri bën edhe kontrollet ka apo jo administrator.