Nga Ilir Yzeiri

Në fjalorin anglisht të Oxfordit, por edhe në atë frëngjisht, « Larousse », ka edhe një përshkrim për një njeri që shfaqet me mungesë arsyeje të mjaftueshme për të kuptuar rendin e gjërave, me mungesë gjykimi dhe reflektimi. Në fjalorin e gjuhës shqipe, ky tip përshkruhet si ai që nuk e ka gjykimin dhe arsyetimin e një njeriu të zakonshëm. Agim Nesho paraqitet në publik si ambasador, megjithëse Fatos Tarifa në një shkrim të tijin e ka sqaruar se ai nuk ka qenë asnjë ditë ambasador («Agim Nesho nuk është emëruar kurrë nga kryeministri Fatos Nano ambasador në Shtetet e Bashkuara dhe, ipso facto, nuk është dekretuar nga presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe as është akredituar nga presidenti amerikan George W. Bush si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara.

Po ta ndjekësh ligjërimin e tij do të vëresh se ai e ndërton tekstin mbi denoncime publike sipas stilit enverian dhe shfrytëzon për këtë ambientin e botës kalorsiake që ndërtontë dikur Don Kishoti. I frustruar nga ideja se nuk arrin të kuptojë asgjë si njeri normal, ai ka bindur veten dhe Berishën, sidomos, që i shfrytëzon me mjeshtëri delirantët që nuk arrijnë të arsyetojnë si njerëzit normalë, se denoncimi i botës së përdalë shqiptare në kancelarinë amerikane është një akt sublim dhe me shumë efektivitet.

Karakteristikë e njerëzve që nuk arrijnë të gjykojnë dhe të arsyetojnë si njerëzit normalë është transferimi në një botë paralele ku mbizotëron rregulli harmonia dhe disiplina. Don Kishoti për këtë rrëmbeu armët, u vesh si kalorës dhe u nis të luftonte me armiq e luftëtarë që askush nuk i shihte por ai i paloste me një të rënë të shpatës. Agim Nesho, kur flet na tregon botën e shkatërruar me krim e banditë me një bajloz të zi që po i zë frymën këtij vendi dhe ai, duke shëtitur nëpër rrugët e Tiranës, çdo ndërtesë e quan një klub mafiozësh, çdo kalimtar e çdo turmë të zakonshme njerëzish i sheh duke u vrarë e duke u therur me njëri-tjetrin.

Me qenë se partitë tona politike, në shumicë, janë kthyer si spitale psikiatrike, sepse atje gjithsecili tregon patologjinë e vet dhe jo atë që ndodh në Shqipëri, Agim Neshon e bindin që t’i paketojë halucionacionet e tij e t’i nisë nëpër zyrat e Uashingtonit. Këtë e ka bërë edhe kur ishte z. Biden në detyrë, edhe tani që erdhi zoti Trump. Problemi është se halucinacionet e Agim Neshos dhe realitetit i tij paralel, me diktatorë e diktaturë i bën një shërbim të paçmuar Edi Ramës. Gojët e liga dhe konspiracionistët profesionistë në Shqipëri janë të bindur që ai është rekrutuar prej kohësh nga Edi Rama që të shkruajë e të flasë me mungesë të dhimbshme inteligjencie, të nisë letra nëpër botë dhe të tregojë se në Shqipëri është instaluar diktatura më e egër në planet.

Duke bërë këtë, Agim Nesho edhe vetë shërohet nga paranojat, edhe i del koha të shëtisë nëpër studio duke treguar procesin e hartimit të editorialeve të tij, edhe Shqipëria dhe Edi Rama damkosen si autokraci dhe si diktaturë. Me këtë koracë mbrojtjeje, ata që duan të kritikojnë Edi Ramën për falimentimin e reformës në drjetësi, për arsimin e shkatërruar, për modelin ekonomik që favorizon kapitalizmin e egër dhe për plot gjëra të tjera, nuk arrijnë ta bëjnë dot, sepse, siç tha Sali Berisha, Agim Nesho e tronditi Edi Ramën me komentin në FOX News.