Dëgjojmë të flitet shpesh për “kujtesë kolektive”, por sa e mundur është që një shoqëri të ndajë me të vërtetë një kujtim të përbashkët në lidhje me të shkuarën? Studiuesi Edon Qesari e vendos këtë nocion nën dyshim në episodin e 24-të të Apostrof Podcast, duke argumentuar se edhe vetë koncepti i “popullit” si një njësi e bashkuar është problematik nga pikëpamja shkencore.

“Nuk mund të ketë asnjëherë një kujtesë të unifikuar kolektive. Vetë nocioni i popullit, është një nocion absurd në këndvështrim shkencor, sepse mua më imponon idenë që është gjithçka e bashkuar. Një bashkësi e caktuar është një bashkësi shumësie njerëzish, të cilët janë nga shtresa të ndryshme, pikëpamje të ndryshme, apo formime të ndryshme. Në qoftë se të gjithë këta do kishin një version të tyre të asaj që kujtojnë – që është goxha e vështirë, në mos absurde – atëherë do kishte shumë arsye për ta dyshuar këtë version të përbashkët, të bashkëndarë.”

Qesari sjell si shembull romanin non-fiction “Mashtruesi” të autorit spanjoll Javier Cercas, ku trajtohet ngjarja reale e skandalit të Enrico Marcos, i cili për dekada me radhë i ishte prezantuar shoqërisë spanjolle si i mbijetuar i nazizmit dhe kampeve të përqëndrimit, kur në fakt kishte shpikur gjithçka.

“Atë që bën Javier Cercas te romani i tij non-fiction [Mashtruesi], është pikërisht të vërë në dyshim faktin se sa e mundshme është një kujtesë e përbashkët… Një kujtesë e përbashkët, e cila i bie që të jetë numri i të gjithë këtyre kujtesave individuale, të cilat ku të sajuara, ku të pasajuara, formojnë një shumësi të përbashkuar të diçkaje inekzistente. Në rastin më të keq, të diçkaje krejt artefakt.”

Për Qesarin, koncepti i kujtesës kolektive nuk është vetëm metodologjikisht i dyshimtë, por në rrethana të caktuara mund të shndërrohet në një vegël politike, ku përmes përzgjedhjes, uniformizimit apo glorifikimit të një versioni të vetëm të së shkuarës, eliminohet pluraliteti i përvojave. Kujtesa nuk është një bllok i vetëm, por një terren i fragmentuar, shpesh kontradiktor, ku bashkëjetojnë zërat, heshtjet dhe përfaqësimet e ndryshme të historisë.

Episodi i plotë i Apostrof Podcast me Edon Qesarin publikohet të dielën, ora 17:00. (Tema)