Sulmuesi i Shqipërisë, Arbër Hoxha u shfaq në konferencën për shtyp në krah të portierit Tomas Strakosha.
Ai u shpreh se kjo ndeshje është vendimtare për rrugën drejt Botërorit dhe se nëse duhet të zgjidhte fitoren me Serbinë dhe humbjen me Letoninë, do ta pranonte. Ndër të tjera, Hoxha u pyet për unazën që mban në gishtin e martesës, teksa zbuloi që është vetëm i fejuar, dhe së shpejti do të martohet.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, e dimë që kundërshtari ka shumë cilësi, por po punojmë shumë mirë, po përgatitemi dhe shpresojmë e besojmë që do ta fitojmë ndeshjen.
Ne jemi profesionistë, do bëjmë tonën në fushë, bëjmë më të mirën. Kjo ndeshje është e vështirë dhe vendos për një vend “play off” për në Botëror, shpresojmë të fitojmë dhe të kemi shpresë në Botëror. Konkurrenca të bën më të fortë, jemi në Kombëtare, sado minuta që të kemi të japim më të mirën. Jam vetëm i fejuar, por edhe shumë shpejt i martuar. Kam qenë i vogël në atë kohë, po ka qenë shumë emocionale jo vetëm për mua, po për të gjithë shqiptarët, Hysaj na tregon edhe tani për historinë atje. Ne duhet të bëjmë më të mirën. Do e pranoja të fitonim me Serbinë dhe të humbnim me Letoninë”, përfundoi Arbër Hoxha.