Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës zhvilloi sot një debat mbi raportin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, duke vlerësuar procesin si të lirë, të ndershëm dhe kompetitiv. Ne debat u theksua ajo që përmendet në raport se 95% e qendrave të monitoruara zhvilluan votimin në mënyrë të rregullt.

Në debat nuk u reflektuan shqetësimet e ngritura nga opozita, ndërsa u vlerësua pozitivisht vota e diasporës dhe bashkëpunimi mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme për parandalimin e krimeve zgjedhore.

Në diskutime u theksua gjithashtu përpjekja e Shqipërisë për të parandaluar përdorimin e aseteve shtetërore gjatë fushatës zgjedhore, duke u përmendur legjislacioni dhe masat e marra në këtë drejtim.

Një tjetër çështje e rëndësishme që u ngrit gjatë diskutimeve ishte nevoja për të rritur ndërgjegjësimin e rinisë për pjesëmarrjen në proceset zgjedhore dhe forcimin e besimit ndaj klasës politike.

Në sesion morën pjesë anëtarët e delegacionit shqiptar në Asamble: Blerina Gjylameti, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj dhe Albana Vokshi.

Klotilda Bushka falënderoi misionin vëzhgues, duke e cilësuar atë të rêndësishëm për ruajtjen e vlerave të përbashkëta dhe për forcimin e standardeve demokratike në Shqipëri. Ajo vlerësoi rekomandimin për depolitizimin e administratës zgjedhore, si element kyc në rritjen e besimit të publikut te integriteti i zgjedhjeve.

Blerina Gjylameti vlerësoi rolin e raportit në parandalimin e krimeve zgjedhore dhe ritheksoi vullnetin për të vijuar reformat që forcojnë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut.

Etilda Gjonaj theksoi se Shqipëria ka adresuar rekomandimet për mos-përdorimin e aseteve shtetërore në fushatë përmes legjislacionit dhe masave institucionale. Znj.Gjonaj e cilësoi procesin zgjedhor si më të mirin në 35 vitet e demokracisë shqiptare. Ajo shtoi se vendi do të vazhdojë të zbatojë rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Albana Vokshi ngriti përsëri shqetësimet për manipulime zgjedhore, duke kërkuar që ato të trajtohen me seriozitet.

Asambleja mbylli diskutimin duke pranuar raportin e misionit të zgjedhjeve në Shqipëri pa ndonjë ndryshim.