Kandidati për deputet i PD-ASHM në zgjedhjet e 11 majit, Aulon Kalaja, ka kundërshtuar vendimin e Prokurorisë së Posaçme për mosnisjen e hetimeve lidhur me kallëzimin e tij për faljen e gjobave nga ana e qeverisë para zgjedhjeve.
Kalaja iu drejtua Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të apeluar vendimin e SPAK, duke kërkuar që të vlerësohet ligjshmëria e aktit qeveritar, i cili, sipas tij, ka ndikuar drejtpërdrejt në procesin zgjedhor. Ankesa pritet të regjistrohet në shkallën e parë të gjyqësorit, ku më pas do të hidhet shorti elektronik për të caktuar gjyqtarin që do shqyrtojë çështjen.
Kallëzimi fillestar u depozitua në SPAK më 27 maj, ku Kalaja e konsideron vendimin e faljes së gjobave si një ndërhyrje me qëllime elektorale. Sipas aktit të qeverisë, janë shfuqizuar të gjitha masat administrative të paekzekutuara të vendosura nga 1 janari 2015 deri më 30 nëntor 2024.