Nga Ylli Pata
Sherri ende në sipërfaqe i dy eksponentëve të opozitës së re, Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, nuk është gjë tjetër veçse një pasojë politike e asaj çfarë mbollën në sezonin politik që u mbyll më 11 maj.
Ka qenë koha dhe rasti më i favorshëm që ndoshta për të vetmen herë, kishin mundësinë të mbushnin boshllëkun e madh në demografinë politike shqiptare.
Një mazhorancë që kërkonte mandatin e katërt dhe një opozitë e goditur nga izolimi dhe lajthitjet e përditshme, ofruan një “golden space”, të cilën partitë apo grupimet e reja, nuk arritën dot ta mbushin.
Ka shumë teori në lidhje me shkaqet që solli mos depërtimi në 11 maj i këtyre grupimeve, e padyshim që do të ketë edhe në të ardhmen debat mbi këtë. Megjithatë, faktori kryesor duket se është mungesa e një vizioni strategjik, i një shikimi për të thellë se ku dhe çfarë kanë dashur të arrijnë në etapa, së paku në vija të trasha të hedhur në letër.
Pse këtë herë ishte shansi i artë i depërtimit të krahut të ri të politikës? Sepse nga njëra anë, Edi Rama e kishte të qartë planin e tij për të marrë votat e tij brenda vendit dhe në diasporë, me mundësi për t’i rritur ato tek grupime sociale siç janë gratë apo votuesit e rinj, e nga ana tjetër Sali Berisha, kërkonte të mbante sa më shumë me thonj, primatin e partisë së parë të opozitës. Të dyja grupimet e mëdha, përveç ndonjë rasti, nuk kishin aq shumë mundësi për të shtypur opozitën e re e ta futur në morsë siç ka ndodhur në të shkuarën.
Shqipëria, prej vitit 1990, nuk ka pasur vetëm PD-në e Sali Berishës dhe PS-në e Fatos Nanos në fillim e më pas atë të Edi Ramës.
Si brenda këtyre forcave të mëdha, por edhe në spektrin politik në vend, ka qenë një ylber i madh ngjyrash dhe emrash që kanë garuar e gjalluar në mejdanin shqiptar të politikës. Si majtas, djathtas, por mbi të gjitha në qendër.
Kanë qenë politikanë, të cilët kanë bërë beteja të forta, por edhe personazhe që edhe pse nuk merrnin vota, kanë lënë një gjurmë historike në agoranë politike në vend.
Sa për statistikë, e jo vetëm, Shqipëria ka pasur partinë e parë ballkanike që kishte kauzë mjedisin-Partinë Ekologjike të Namik Hotit. i cili si personazh supersimpatik në publik, ka lënë një trashëgimi unike. Ndërkaq, politikanë si Sabri Godo, Skënder Gjinushi, Neritan Ceka, por edhe shumë të tjerë bënë beteja të forta politike, të cilat kanë ndikuar në rrjedhën e historisë së vendit.
Në vitin 1994, PS ishte një forcë politikë e goditur rëndë nga burgosja e Fatos Nanos, nuk e kishte forcën për t’ju imponuar një establishment të dhunshëm që krijoi Saliu I.
Por, si partia më e organizuar në vend, u arrit që së bashku me parti të majta e të djathta, të rrëzonin Sali Berishën në referendumin për Kushtetutën.
Në atë betejë: patën një fuqi të rëndësishme politike republikanët e Godos, që e kundërshtonin projektin berishjan për pronat, socialdemokratët e Gjinushit e PAD e Cekës, që kundërshtonin pushtetin e përqëndruar në një dorë. Partitë tradicionale të së djathtës Balli dhe Legaliteti, po ashtu ishin kundër. Të gjithë u bënë bashkë, edhe pse nuk kishin në krye një lidership. Arrritën pa facebook e tik-tok, me një televizion shtetëror që ishte kthyer në Sali-tv, që të mobilizonin votuesit, kur administrata zgjedhore kontrollohej nga Berisha dhe SHIK-u i Gazidedes.
Ishin partitë e së djathtës tradicionale, së bashku me republikanët e Godos, që në Shkodër, bastionin e Sali Berishës, nuk patën aspak kompleks të bashkoheshin me socialistët në tetorin e vitit 1996. Atëherë kur Berisha ishte më i fuqishëm se kurrë dhe kishte me vete fuqinë më të madhe financiare; firmat piramidale. Në Shkodër arritën të fitojnë, duke nisur kështu greminën politike të PD-së që ndodhi një vit më pas.
Mbijetesa e partive të “vogla” ishte mjaft e vështirë në një terren abraziv dhe shtypës nga të mëdhenjtë. Të cilët krijuan legalisht dhe jo legalisht një sistem kompleks ku i kontrollonin partitë e vogla për t’i përdorur si satelitë e jo si aleatë. Sistemi elektoral ishte edhe atëherë i pafavorshëm. Mazhoritar me balotazh, ku beteja zhvillohej si duel direkt me dy pjesë, ku logjikisht hynin si favoritë të mëdhenjtë.
Pas zgjedhjeve të vitit 1997, kur të ndjerit Leka Zogu i iku zogu fatal nga duart, në ditën më të favorshme për të, skena politike u bë më e egër.
PS e Fatos Nanos, i përdori aleatët politikë për të pasur më shumë pluralizëm në qeverisjen e tij. Si PSD si PAD, merrnin nga hapësira politike e zonave të majta. E kishin të pamundur të hapnin livadhin e tyre, pasi elektoratin ja jepte me qera PS-ja. Djathtas ishte e njëjta gjë, Sali Berisha vuri pas 1997 rregullin, duke ndaluar depërtimin e përparimin e Ballit, Legalitetit dhe Partisë Republikane, duke përdorur të famshmen aksiomë “përça e sundo”.
Ndërkaq, në mazhorancë sherri brenda PS-së ndërmjet Fatos Nanos e Ilir Metës, paralizoi komplet aleatët e vegjël. Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit u përça nga Ilir Meta dhe disa qarqe politike jo në Tiranë, duke nxjerrë një forcë të re politike. PAD u shkërmoq avash avash, me një garë se kush shkon i pari në prehrin e doktorit. Partia Republikane e Godos humbi si xhaferi simiten me largimin e “plakut dinak”. Fatmir Mediu, e shkriu partinë që nga baza me infrastrukturën e PD-së. Kjo që nga megadushku i 2005-s, që i dha kreut të PR një post fiks ministri.
Dalja e LSI-së më pas e çoi skenën politike në një tris agresiv. Ku si kryefjalë doli “Kingmakeri” që duhet të ishte vetëm një, Ilir Meta. i cili për ta mbajtur atë pozicion të vështirë, bëri pakt me djalin e të gjithë demonët e kësaj toke. Kush dilte si aktor i ri shtypej pa mëshirë, siç ndodhi me Aleancën Kuqezi të Kreshnik Spahiut, e cila u ekzekutua në zgjedhjet e 2013-s me një blitzkrieg.
E ja ku jemi sot: “Kingmaker”-i ndodhet në një vend të keq, si për të treguar modelin e gabuar dhe të pafrytshëm të një politike të caktuar.
E megjithatë, opozita e re në 11 maj, po kërkonte një rol kingmakeri, siç e tha troç Adriatik Lapaj. i cili bënte video vërdallë se ai nuk do të bënte kurrë koalicion me Edi Ramën, i cili sipas tij nuk do të merrte 71 mandate, ndaj do të ishte i varur nga deputetët e Tikut. Pra peshku në det e tigani në zjarr.
Rama, jo vetëm që mori 71, por arriti gati shumicën absolute duke fituar 83 mandate, ndërsa ai që mendoi të bëhej kingmaker, mezi hyri në Parlamentin e ri.
Kjo është një disfatë e rëndë, pasi u shpërdorua një shans historik. Gjithçka, sepse u mendua vetëm modeli i kingmakerit, e jo një projekt politik që siç dihet ka një proces të tërë përpara për tu ngjizur, lindur, rritur e më pas për të kaluar moshën e pjekurisë. Në realitet, ata kishin një shans për të nisur një maratonë, por ky shans ju kaloi për shalësh, pa e kuptuar fare…/TEMA