Ndërsa mbante fjalën e tij për projektligjin e nismës për menaxhimin e energjisë dhe ndërtesave në Kuvend, ministri i Shtetit Taulant Balla debatoi edhe me opozitën.
Pas fjalës së deputetes demokrate Jorida Tabaku, që hodhi akuza për farsën elektorale të 11 majit dhe raportin e PE-së për përregullsitë që opozita pretendon, ai i kujtoi “përroin psikik” të Sali Berishës në PE për të nxirë dhe hedhur baltë ndaj Shqipërisë, me qëllim që të dëmtojë procesin e integrimit të vendit në BE.
Duke e cilësuar të turpshëm veprimin e opozitës dhe apeluar për bashkëpunim, pasi “Shqipëria ishte edhe e tyre”, ai apeloi që opozita të reflektonte dhe ndihmonte, psi kishte rolin e saj dhe të braktiste diskursin e kreut të saj, që sipas tij, me moshën që ka nuk mban as përgjegjësi për ato që thotë e bën.
Në fund Balla ironizoi edhe dyshën Vokshi-Noka që ndërhynin herë pas here gjatë fjalës së tij, duke i cilësuar edhe si “ylli i ri i partisë”. Balla paralajmëroi PD-në se nëse nuk reflektonin, edhe më 2029 me sa dukej shqiptarët do i ndëshkonin edhe më keq, sepse “shqiptarët nuk janë budallenj”.
Fjala e plotë e Taulant Ballës në Kuvend:
“Garë e paepur e opozitës për ta nxirë Shqipërinë sa më shumë. Kulmi i kësaj ishte një përrua psikik që u dëgjua në një nga sallat e Parlamentit Europian dhe t’ju them të drejtën, nuk turpëron më atë person, se personi tashmë nuk mban më përgjegjësi për gjithçka bën dhe thotë.
Por edhe parafolësja me shumë pathos (Tabaku), që iu referua një raporti vjetor të PE-së, i propozuar nga një mik shumë i mirë i Shqipërisë, Andreas Schieder, e kam mik prej 20 vitesh, mik pa parti.
Këtë pjesë nuk e njeh ti (i drejtohet Nokës). Në një fjali të vetme ai tha atë që kishte dashur të thoshte në raport. Shqipëria është vendi i parë mes atyre që vrapojnë për t’u bërë anëtar i BE-së. Unë po i referohem fjalës.
Nuk kam asnjë dyshim, po do ta bëj qejfin (i drejtohet opozitës) që Mali i Zi është pak para nesh, sepse Mali i Zi i hapi bisedimet për anëtarësim në vitin 2012. Ne në 2012 nuk na jepnin dot as statusin e vendit kandidat. Në 2014 i hapi Serbia bisedimet.
Jo baltën që u jep ai si ushqim, diskutim e kam, patjetër, e marr fjalën sa herë ma jep rregullorja, po, do më tregosh ti mua rregulloren e Kuvendit (i drejtohet Nokës).
Shqipëria do i mbylli bisedimet për anëtarësim, negociatat, brenda Krishtlindjeve të vitit 2027.
Ju, se ju që jeni këtu një pjesë jeni rizgjedhur, se duke reflektuar nga sjellja që keni pasur, nga shtatori e tutje të ulemi së bashku dhe të punojmë për këtë moment historik. Opozita ka një vend e rol të pazëvendësueshëm në këtë proces të natyrshëm.
Dhe duhet patjetër që të reflektojë që të bëhet pjesë. U tha këtu nga parafolësja pse nuk bëjmë ne debat për zgjedhjet, po debati për zgjedhjet në momentin në fjalë po e bëjnë institucionet që duhet të diskutojnë zgjedhjet, aty ku ju keni shfrytëzuar edhe të drejtën që kemi dakordësuar së bashku që në 13 vite më parë, për të kërkuar edhe rinumërim. Sepse e dini fare mirë, se nga ky rinumërim nuk del asgjë përsa i përket rezultatit të përgjithshëm.
E vetmja vot që po del është ajo e ndonjë komisioneri tuaj që ia ka kaluar ndonjë kandidati tjetër, tek tuk, brenda atij marzhit të gabimit njerëzor, të deritanishëm. I referohem këtu deri tani rinumërimit të qarkut të Dibrës, biem dakord së bahsku që ato 20 vota që kishin shkuar nga Gjunkshi te ai tjetri, janë brenda marzhit të gabimit. Po ne nuk mund të bëjmë një debat për zgjedhjet tani.
Por ju mund t’i bëni një shërbim vendit, meqë flasim për eficencë energjie, të bëjmë edhe një eficencë, sepse e keni futur në rinumërim vetëm për të shtyrë kohën.
Se e theksoi edhe njëri këtu, ne nuk ua kërkojmë dorëheqjen e Saliut, ne jo njëherë! Ata që ua kërkojnë zgjidheni hallin brenda jush. Ne s’kemi e s’bëhemi pjesë në asnjë diskutim të brendshëm të partisë tuaj. Por vini këtu e kërkoni debat për zgjedhjet, për çfarë? U bënë më 11 maj, rezultati më i qartë se asnjëherë tjetër. Ditë e zezë të më përkthesh ti mua Joridën, por jemi këtu për performancën e energjisë në ndërtesa. Nëse keni çështje për këtë, bujrum, por përsa i përket imazhit të Shqipërisë, çështjes së integrimit, thirrja ime është hiqni dorë nga ai turp i madh, se do vazhdoni të zhyteni edhe më shumë.
Se ju ende s’keni kuptuar një gjë shumë të rëndësishme, vota e shqiptarëve dhe mbi të gjitha vota e diasporës në zgjedhjet e 11 majit, ishin vlerësim për punën e Edi Ramës dhe qeverisë socialistë dhe një ndëshkim për ju, për sjelljen tuaj ndaj Shqipërisë gjithë këto vite. Se ai, del një (Berisha) që paguhet me taksat e shqiptarëve dhe del atje “narkoshteti, narkoshteti…”, lërini mo këto se latë nam, lërini se latë nam, realisht latë nam! E duhet t’ju vij turp se vendi është i përbashkët, edhe i yni edhe i juaji.
Dhe shqiptarët për budallenj nuk i merr sot askush, asnjëri prej jush. Dhe shqiptarët, siç ua matën kokën më 2025, më keq akoma do jetë, sepse s’ka ndonjë plan për reflektim me sa duket, e njëjta kastë do jetë, Albana në Durrës, Muli në Tiranë dhe ec edhe 2029-ta. Aty, aty ti, mbaje ti, ylli i ri europian i partisë”.