Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, prezantoi sot në Kuvend, projektligjin për performancën energjetike në ndërtesa. Balla tha se projektligji e bën Shqipërinë vendin e parë në rajon që zbaton në mënyrë të plotë dhe ambicioze direktivën më të fundit të Bashkimit Evropian në këtë fushë.
Ai theksoi në fjalën e tij se ligji nuk është një përafrim formal me BE-në, por një politikë konkrete dhe e strukturuar, që vendos në qendër qytetarët, mjedisin dhe kursimin e energjisë. Nga 1 shkurti i këtij viti, çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë u ul me 10.5%, nga çka përfituan 95% e familjeve shqiptare – rreth 1.070.000 abonentë.
“Një familje kursen mesatarisht 100 euro në vit, vetëm nga kjo ndërhyrje që bëmë në shkurt dhe është në fokusin e qeverisë mbështetja për ata që fitojnë më pak. Të gjitha këto të dhëna janë dëshmi se Shqipëria edhe në fushën e energjisë po ecën në rrugën e duhur dhe në këtë mandat historik që na besuan shqiptarët me më shumë vota se asnjëherë tjetër, pikërisht t’i qëndrojmë besnikë fjalës së dhënë për ta përmbyllur me Shqipërinë anëtare të BE-së brenda këtij mandati”, tha Balla.