Në 34-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, ministri i Shtetit dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka përcjellë një urim të veçantë për të gjithë kontribuesit ndër vite në forcimin dhe zhvillimin e partisë më të madhe progresiste të vendit.

“Gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste, të gjithë atyre që kanë kontribuar prej ditës së parë e deri më sot,” shprehet Balla në mesazhin e tij, duke shprehur mirënjohje të veçantë për themeluesit, liderin e parë Fatos Nano, intelektualin e shquar Dritëro Agolli dhe drejtues të rëndësishëm në periudha sfiduese si Gramoz Ruçi, Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Luan Hajdaraga e Rexhep Meidani.

Një falënderim i posaçëm iu drejtua gjithashtu çdo anëtari: “Mirënjohje çdo anëtari, çdo patronazhisti, çdo simpatizanti të thjeshtë në Shqipëri dhe në diasporë, drejtuesve në territor.”

Në këtë përvjetor të veçantë, ku Partia Socialiste feston pas fitores së 11 majit, Balla vlerësoi lidershipin e Kryeministrit Edi Rama.

“Mirënjohje Kryetarit tonë Edi RAMA për lidershipin e fitoreve historike #PS2030???? për #Shqipërinë2030”

Partia Socialiste u themelua më 12 qershor të vitit 1991, kur një pjesë e anëtarëve të asokohe Partisë së Punës ekzistuese vendosën të ndahen nga e kaluara, duke iu përshtatur ndryshimit të sistemeve.

Sot, Partia Socialiste mban pushtetin që prej zgjedhjeve të vitit 2013. Në historinë e pluralizmit politik, është e vetmja forcë politike fituese e katër mandateve rresht për të qeverisur Shqipërinë me të njëjtin Kryeministër, Edi Ramën.