Shteti do të ngrejë një institucion financiar të dedikuar për të mbështetur zhvillimin ekonomik sidomos në sektorë që e kanë të vështirë të gjejnë financime. Ministria e financave është vendosur që të jetë aksionari i parë si përfaqësues i shtetit i cili do të kontribuojnë me një kapital fillestar prej 10 miliardë lekësh. Burimet e financimit, përfshijnë kreditë ndërkombëtare dhe fondet e mbledhura përmes Postës Shqiptare. Sipas vendimit, Ministria e Financave do të përfaqësojë shtetin si pronar i 100% të aksioneve të kësaj banke dhe do të ndjekë të gjitha procedurat e mëtejshme të përcaktuara në ligj.

Objektivat kryesorë të këtij institucioni, janë mbështetja me hua e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe startup-et, veçanërisht ato që operojnë në sektorë që përballen me vështirësi në financim.
Një tjetër prioritet i rëndësishëm është edhe mbështetja e modernizimi i infrastrukturës fizike dhe digjitale, me fokus në zonat dhe sektorët, ku mungesa e investimeve ka kufizuar zhvillimin ekonomik dhe përfshirjen financiare.

Kjo Bankë nuk do të operoj si një bankë tregtare për qëllime të maksimizimit të fitimit, por për financimin e projekteve strategjike dhe sektorëve të nënfinancuar. Për këtë arsye, Banka e Zhvillimit nuk mund të jetë subjekt i rregullave të zakonshme bankare apo tregtare.

Por pavarësisht kësaj Banka Shqiptare e Zhvillimit raporton te Banka e Shqipërisë për qëllime statistikore dhe për regjistrin e kredive. Po ashtu Banka e Shqipërisë përcakton metodologjinë e mbikëqyrjes së aktivitetit të mbledhjes së produkteve të kursimit, si dhe të raportimit statistikor.