Ndërtuesit që kanë përfunduar ndërtimin, por nuk kanë aplikuar për certifikatën e përdorimit, do të shpëtojnë nga tarifa e pastrimit.
Aktualisht tarifa e pastrimit për kantieret e ndërtimit nga ndërtuesit nis të paguhet nga zbardhja e lejes së ndërtimit deri sa ndërtuesi të paraqesë kërkesën për certifikatë përdorimi.
Pra tarifa vazhdon të paguhet përtej lejes së ndërtimit edhe nëse punimet përfundojnë para afatit, nëse nuk është bërë aplikimi për certifikatë përdorimi.
Bashkia e Tiranës ka propozuar që ndërtuesit të mos paguajnë tarifën e pastrimit përtej afateve të lejes së ndërtimit edhe nëse nuk kanë aplikuar për certifikatë përdorimi.
Certifikata e përdorimit është dokumenti që konfirmon që ndërtesa është përfunduar sipas lejes së miratuar dhe plotëson kushtet për të filluar përdorimin e saj për qëllime banimi apo tregtie.
Tashmë përfundimi i punimeve do të vërtetohet nëpërmjet një procesverbali pas inspektimit që do të bëhet në terren. Pas nxjerrjes së procesverbalit ndërtuesi nuk do të paguajë tarifën e pastrimit.
Propozimi që ndërtuesit të mos paguajnë më tarifë pastrimi përtej afatit të lejes së ndërtimit bëhet në projektvendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranë”.
“Në vijim, shkronja “ii”, e pikës 6, në nenin 42 “Mënyra e pagesës së tarifës së pastrimit” ndryshon si më poshtë:
“ii. Njësi ndërtimi për çdo kantier ndërtimi, etj të ngjashëm me to, rikonstruksione të pjesshme të ngjashme me to, për të cilat miratohet leje ndërtimi por nuk vihet në zbatim/shfrytëzim nga zhvilluesi/ndërtuesi deri në përfundim të afatit të lejes, si dhe për rastet të cilat leja e miratuar vihet në zbatim por nuk janë ndjekur procedurat për aplikimin për certifikatë përdorimi, llogaritja e tarifës se pastrimit të fillojë me zbardhjen e lejes së ndërtimit deri në përfundimin e afatit të punimeve, shoqëruar me procesverbalin nga sektori i verifikimit në terren””, citohet në relacion.
Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë shpjegoi për Monitor ndryshimet e propozuara shkurtojnë kohën e tarifimit që aktualisht është e gjatë, për subjekte që nuk kanë nisur procedurat e aplikimit për certifikatë përdorimi. Ndërkohë që përfundimi i punimeve sipas ndryshimeve të propozuara do të konkludohet tashmë nëpërmjet një procesverbali pas inspektimit në terren.
“Aktualisht tarifa e pastrimit fillon nga momenti i zbardhjes së formularit të lejes deri në momentin kur subjekti aplikon për certifikatë përdorimi, që është kohë goxha e gjatë.
Me ndryshimet e propozuara, shkurtohet koha e tarifimit, që ka të bëjë vetëm me afatin e vlefshmërisë së lejes, e cila shoqërohet me një proces verbal nga sektori i verifikimit në terren që ka të bëje me përfundimin e punimeve, pavarësisht aplikimit për certifikate përdorimi.
Po ashtu nga Bashkia e Tiranës propozohet se edhe për rastet kur ndërtuese nuk ka arritur ta përfundojë ndërtimin, sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi, referencë për llogaritjen e tarifës së pastrimit do të jetë afati i lejes së ndërtimit si dhe përdorimi aktual i pronës.
Edhe për rastet kur ndërtuesi është pajisur me leje ndërtimi, por që nuk është shfrytëzuar përllogaritja për tarifën e pastrimit do të bëhet nga momenti i zbardhjes së lejes deri në momentin e përfundimit të afatit të punimeve.
Për subjektet e njësive të ndërtimi, apo për çdo kantier ndërtimi, objekte banimi apo shërbimi të tjera të ngjashme në fashën e xhiros deri në 2 milionë lekë në vit tarifa vjetore e pastrimit llogaritet në vlerën e 5,750 lekë në vit.
Për subjektet e ndërtimit të fashës së xhiros nga 2 deri 8 milionë lekë tarifa e pastrimit është 34,500 lekë në vit. Mbi 8 milionë lekë xhiro paguajnë tarifën e pastrimit prej 345,000 lekë në vit. Dhe bizneset VIP paguajnë 517,500 lekë në vit për tarifën e pastrimit./ MONITOR