Shkodër, 18 qershor 2025 – Bashkia Shkodër ka vendosur që stadiumi “Loro Boriçi” t’i lihet në dispozicion ekipit të Vllaznisë për ndeshjet ndërkombëtare, ndërsa koncerti i këngëtarit të njohur Bujar Qamili do të zhvendoset në një vend më të përshtatshëm për qytetarët.

Në një status të fundit, drejtuesi i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, u shpreh për këtë vendim, duke adresuar dhe debatin e krijuar rreth përdorimit të stadiumit për koncertin e mjeshtrit të madh:
“Këto ditë jemi të gjithë dëshmitarë të një debati artificial e qartazi të nxitur nga interesa personale lidhur me përdorimin e stadiumit ‘Loro Boriçi’ për realizimin e koncertit të Mjeshtrit të Madh Bujar Qamili.”

Beci theksoi bashkëpunimin me stafin e bashkisë për organizimin e koncertit, duke shtuar se:
“Organizimi i koncertit është menduar në mënyrë të tillë që të mos cënojë në asnjë mënyrë fushën, si dhe stadiumi të jetë në gjendje optimale për ndeshjet ndërkombëtare të Vllaznisë.”

Megjithatë, për të shmangur çdo shqetësim, koncerti do të zhvillohet në oborrin e Bashkisë Shkodër, ku të gjithë qytetarët e Shkodrës do të jenë të ftuar:
“Ne do ta zhvendosim koncertin në oborrin e përbashkët të të gjithë qytetarëve shkodranë para Bashkisë Shkodër.”

Nga ana tjetër, Beci shprehu edhe shqetësimin për valën e informacioneve të pavërteta që kanë shqetësuar tifozët:
“Një valë informacionesh të pavërteta rreth dëmit që mund t’i sjellë stadiumit organizimi i koncertit ka shqetësuar jo pak tifozë të Vllaznisë.”

Ai bëri thirrje për qetësi dhe bashkëpunim, duke nënvizuar se:
“Si drejtues i Bashkisë Shkodër nuk kam asnjë dëshirë që, edhe në mënyrë të paqëllimshme, organizimet e institucionit që ju më keni dhënë privilegjin të drejtoj, të shfrytëzohen për të krijuar ndasi apo përballje artificiale.”

Ndërsa i ftoi qytetarët të jenë pjesë e koncertit madhështor që do të mbahet më 21 qershor, Beci uroi edhe suksese për Vllazninë në aventurën evropiane:
“Duke i uruar suksese Vllaznisë në aventurën evropiane ju ftoj të gjithëve të jemi pjesë e koncertit madhështor të këngëtarit Bujar Qamili në mbrëmjen e 21 qershorit.”

Ky koncert, sipas tij, do të shërbejë edhe si ogur i mirë për ngjyrat kuqeblu të qytetit të Shkodrës:
“Le të shërbejë ky koncert edhe si ogur i mirë për ngjyrat kuqeblu të Vllaznisë, simbol i qytetit tonë.”