Nga Ylli Pata

Proverbi i stërpërdorur, madje i keqpërdorur më shumë se “jo çdo e keqe vjen për keq”, duket se i ka ardhur në faqe opozitës shqiptaret, si një rrugëdalje flladi përpara kësaj vape të tmerrshme të qershorit të rinumërimit.

Kjo “e keqe” e ka emrin Fredi Beleri, i cili, edhe pse është një nga faktorët e humbjes katastrofale të PD-së në zgjedhjet Parlamentare, ka mundësinë të jetë një mundësi perfekte për të prodhuar politikë në një opozitë, që thënë të vërtetën(pa e marrë vesh kush) ndodhet në situatën e ajatullahëve të Likes së Iranit(Ali Kahmenei).

Beleri, i cili duke përdorur kompetencat e tij si europarlamentar, e tha një fjalë të mirë për opozitën shqiptaret, kur në fakt duhej të bëhej copë sepse Sali Berisha dhe Ilir Meta dhanë lëkurën e tyre për Fredin e Spilesë, mund të jetë një exit strategy për opozitën aktuale shqiptare.

E cila së paku, i ka gjasat të kthehet në një grupim i djathtë konservator e patriotik, duke e shndërruar në një betejë politike për lidershipin e ri të saj, pikërisht strategjinë politike me ekstremistët nacionalistë grekë.

Në opozitën shqiptare ekzistojnë qartazi dy rryma, njëra që është në mazhorancë numerike por opozitë në parti, e cila nuk e do aleancën me Belerin dhe tjetra që është në minorancë numerike por në pushtet në parti, e cila e do dhe e bëri këtë aleancë.

Sali Berisha dhe Ilir Meta, i dhanë Belerit një mbështetje që as Athina nuk ja jepte dot. Si pasojë e asaj mbështetje, një personazh periferik në politikën greke sot është një eurodeputet i Nea Dimokratia në Bruksel, edhe pse në realitet nuk i hyn gjë në punë.

Por për opozitën shqiptare, një diskutim bazik se si duhet të sillet e djathta në lidhje me Belerin, PBDNJ-në, Dulen dhe grupimet minoritare, mund të kthehet në një oaz ujor i mezipritshëm në shkretëtirën disaveçare ideologjike.

Nacionalizmi, apo pozicionet patriotike i rrinë mirë çdo grupimi të së djathtës, madje aq mirë sa mund të krijohet një logjikë e tërë politike, ekonomike dhe sociale për të paktën dekadën e së ardhmes, ku në parlament, qeveri e bashki, PD dhe forcat e tjera të kenë përfaqësuesit e tyre.

Të cilët janë aty, por i kanë nxjerrë jashtë, thjeshte sepse kërkon jo Athina zyrtare, por edhe qarqet ekstremiste që kanë mbështetur Belerin dhe ekstremistët që Sali Berisha tentoi t’i përdorte për makiazh.

Në fakt, as Berisha e as qarqet ekstremiste greke nuk fituan asgjë nga aleanca mes tyre. Ndaj Fredi Beleri, natyrisht i yshtur nga ata që dinë më shumë se ai në Athinë, kërkoi i pari largimin e Sali Berishës.

Një gjest politik krejt normal. Sepse këto qarqe morën por edhe i dhanë Sali Berishës. Ato vota më 11 maj, pra më shuëm se 500 mijë, i ka marrë edhe si pasojë e aureolës politike që ndihmuan grekët që të krijohen. Në fund, asnjëra palë nuk mori atë që donte, pasi humbën keq në numrat e Parlamentit. Me një logjikë normale lobi i Belerit kërkon pjesë në opozitën e sotme, gjë që e ka. Pasi mbështetja e madhe mediatike e politike, diplomatike, por edhe me njerëz, ka edhe kontributin e Athinës.

E për këtë, me të drejtë Beleri kërkon një betejë brenda opozitës, politikisht. Që nëse bëhet mirë, mund të jetë në realitet fati i madh i së djathtës shqiptare. Asaj të vërtetë, ku jo me inat e sharje, po me argumente të bëjë një konfrontim real se pse një PD apo opozitë shqiptare duhet të përballet me Edi Ramën, pikërisht me armën më të madhe t tij; flamurin kuqezi.

Pasi nëse siç ndodhi në ditën e fundit të fushatës së opozitës, kandidati për kryeministër ka në zemër flamurin grek me numrin 1, natyrisht që do humbë vota. Madje ka humbur pak./ TemA