Luan Baçi deklaroi një ditë më parë se drejtuesit politikë në qarqe duhet të mbajnë përgjegjësi për humbjen e rëndë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit.
Ai bëhet i pari nga PD, që kërkon përgjegjësi brenda PD-së, për humbjen e zgjedhjeve.
“Drejtuesi politik të gjithë qarqeve kanë përgjegjësinë kryesore, e përsëris sa herë të më pyesin. Drejtuesit politik kishin kompetencat dhe për të bërë listat, dhe për të drejtuar, dhe për të ndarë zonat.
Duke qenë njerëzit me kompetencat e tyre që, nëse ne do ishim fitues, do të ishin ata që ishte qeveria e ardhshme, siç do kishe privilegjet, duhet të kesh përgjegjësi.
Këtu nuk dalloj asnjë, as Bardhin, as Boçin në Shkodër, as Bylykbashin në Durrës. Performanca në Shkodër e Durrës ishte më e mirë se në qarqet e tjera, por ishim dobët. Ishte rezultat që dhe unë jam skandalizuar. Arsyet janë nga më të shumta”, tha ai.
Luan Baçi ishte drejtues politik i Qarkut të Fierit për vite me radhë.
Ai u zëvendësua nga Sali Berisha me Gazment Bardhin, disa muaj më parë.
Baçi, edhe pse i pakënaqur për vendimin, nuk e shprehur asnjëherë publikisht atë.
Megjithatë, në zgjedhjet e 11 majit, Partia Demokratike arriti rezultatin më të keq të mundshëm.
PD arriti të merrte vetëm 3 deputetë në këtë Qark.
Edhe pse Fieri konsiderohet si një hambar votash për Partinë Socialiste, Partia Demokratike nuk mendohej të arrinte këtë rezultat skandaloz.
Dhe ky dështim, në radhë të parë i faturohet Gazment Bardhit.
Ky i fundit, pavarësisht këtij rezultati skandaloz, nuk ka pranuar të mbajë asnjë përgjegjësi.
Ai thotë se humbja erdhi për shkak të presionit shtetëror dhe blerjes së votave.
Sali Berisha nga ana tjetër, nuk ka kërkuar asnjë llogari nga Bardhi apo drejtues të tjerë politik të qarqeve, pavarësisht rezultatit të tyre.
Kjo, pasi Berishës nuk i intereson të hapet debati për përgjegjësinë e humbjes.
Sepse nëse do të hapet ky debat, atëhere do të diskutohet edhe përgjegjësia e Sali Berishës.
Dhe, edhe pse për momentin askush nuk e përmend publikisht në PD, përgjegjësia e tij është kryesorja.
Që nga ajo e vendosjes së drejtuesve të qarqeve, që ishte një gabim i madh, duke përfshirë këtu jo vetëm Gazment Bardhin në Fier, që nuk kishte asnjë lidhje, por edhe Luçiano Boçin, që e mori nga Elbasani dhe e çoi në Shkodër.
Ndaj, Berishës për momentin i intereson të heshtë.
Ashtu si drejtuesve politik.
Askush nuk do të hapë debatin e përgjegjësive.
Nëse hapet ky debat, atëherë në PD plas “lufta”.
Vetëm se, vështirë se mund të shmangin gjatë këtë debat.
Pas “përgjegjësisë” së Ramës, do vijë dita që edhe atyre t’iu kërkohet përgjegjësia për humbjen nga demokratët.