Prej katër ditësh, Sali Berisha nuk u shfaq në publik.
Arsyeja?
Një gjendje virale.
Kështu u shpreh ai sot në një konferencë për shtyp me gazetarët nga selia e Partisë Demokratike.
“Unë jam transparent. Po pata problem shëndetësor njoftoj publikun. Kisha një gjendje virale që kaloi pa asnjë ndërlikim të veçantë”, tha Berisha.
Ai akuzoi kundërshtarin e tij, Edi Rama se përdor standard tjetër në raste të tilla. Sipas tij, shkarkimi i Ermal Onuzit nga Garda ka ardhur pas disa procedurave spitalore që bëri Rama. Sa i përket shkarkimit të Onuzit paralajmëroi lajme të reja.
“Dy standarde, u shkarkua komandanti i Gardës, në fakt në aparencë është për këtë sepse thelbi për shkarkimin e tij është bota e krimit dhe do ta merrni vesh pse. Ai u shkarkua të nesërmen e disa procedurave spitalore, në të cilat nuk pati asnjë test serioz për ato që duhej të kishte”, tha Berisha.
Ai paralajmëroi se do paraqiten edhe dokumente të tjera që faktojnë se si “Edi Rama dhe industria e blerjes së votës dhe makineria e frikësimit të qytetarët degradoi procesin zgjedhor”.
Ai theksoi se “farsa nuk do të njihet kurrë”.
Sa i përket rinumërimit ai tha se vjen si kërkesë e kandidatëve dhe e mbështetur nga Partia Demokratike.