Administrata e Presidentit Donald Trump i ka kërkuar Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që të pranojnë emigrantë të deportuar nga SHBA-të”, raporton prestigjiozja amerikane Bloomberg.
Sipas, Bloomberg, kërkesat drejtuar vendeve në rajon tonë janë të vazhdueshme dhe pjesë e një strategjie më të gjerë për të gjetur qeveri të huaja të gatshme të pranojnë migrantë të dëbuar nga Amerika.
Megjithatë në artikull theksohet se nuk është e qartë nëse u arrit ndonjë marrëveshje si rezultat i bisedimeve.
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit nuk komentoi”, shkruan media amerikane.
Në maj, Gjykata e Lartë i lejoi administratës Trump t’u heqë statusin e përkohshëm ligjor deri në gjysmë milioni njerëzve nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela. Administrata ka kërkuar destinacione të mundshme për emigrantët nga këto vende që mund të deportohen.
Wall Street Journal raportoi në muajin prill se SHBA-të kishin shqyrtuar mundësinë për të dërguar të dëbuarit diku tjetër në Ballkan, përfshirë Moldavinë dhe Kosovën, si dhe vende të tjera anembanë botës. Por Serbia, nuk ishte raportuar më parë si një destinacion i mundshëm për të dëbuarit nga SHBA-të.
Marrëveshjet për të pranuar emigrantët e deportuar nuk janë të paprecedentë në rajon. Një marrëveshje e ngjashme u arrit midis Italisë dhe Shqipërisë pasi Kryeministrja Giorgia Meloni e bindi kombin ballkanik të hapte qendra për emigrantët e ndaluar teksa përpiqeshin të kalonin nga Afrika në Evropë nëpërmjet detit. Italia paguan për koston e qendrave, shkruhet në artikull.