Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin, Erion Braçe, gjatë prezantimit të strategjisë kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja, theksoi edhe nevojën urgjente për të rregulluar ligjet që lidhen me financimet e partive politike gjatë fushatave zgjedhore. Braçe nënvizoi se në zgjedhjet e fundit janë regjistruar flukse të mëdha parash nga burime të treta, të cilat aktualisht nuk janë të detyruara të bëjnë deklarime, duke krijuar një hapsirë për ndikime të jashtme dhe komercializim të procesit zgjedhor.
“Sot kemi parë shumë raste ku flitet hapur për shpenzimet gjatë fushatave, madje edhe në mënyrë spektakolare me celularin në dorë, që përbën një fenomen negativ. Për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve, duhet të vendosim një kontroll më të rreptë dhe transparencë të plotë mbi burimet financiare,” tha Braçe.
Ai theksoi se zgjedhjet duhet të mbeten një proces i drejtë dhe demokratik, ku vota është shprehje e lirë e vullnetit të qytetarëve, jo një mall për t’u blerë apo manipuluar përmes fondeve të dyshimta.
Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kryen vetëm një monitorim të përgjithshëm bazuar në vetëdeklarimin e partive, por kjo nuk mjafton për të parandaluar rreziqet e mundshme. Braçe kërkoi miratimin e një ligji që detyron palët e treta që financojnë fushatat të deklarojnë burimin e fondeve në mënyrë transparente dhe të plotë.