Deputeti socialist, Erion Braçe akuzon KAS se votat e tij po i kthen në të pavlefshme, edhe pse në fakt sipas tij janë të pastra dhe shprehin qartë vullnetin e zgjedhësit për të votuar PS dhe emrin e tij. Në një postim në Facebook, Braçe ka ndarë fotot e disa votave të tij që KAS i ka shpallur të pavlefshme, duke shkruar se ky është një turp.

Braçe thotë se as nuk i ka marrë vota kujt dhe as nuk i ka vjedhur. Braçe shton se “nuk e di se kujt po kërkon KAS që t’ia marrë mandatin, por ky është një turp”.

“Tirana/5, sa turpi i rinumërimit! Këto janë vota të PS dhe të miat – shihini; po i shpallin të pavlefshme! Të gjitha të vlerësuara gjatë numërimit nga KZAZ, në bazë të një manuali të KQZ, që tani nuk është më gjëkundi! Nuk ia kam borxh kurrkujt këtë lloj pisllëku, shoqëruar me shënimin “votë më shumë” dhe nënkuptimin “të vjedhura”!

Janë vota të pastra që KAS po i kthen në të pavlefshme! As ia kam marrë kujt, e as ia kam vjedhur kujt! Është votë ku është shprehur qartë vullneti i votuesit! Nuk di se si e kanë planin, kujt KAS po kërkon t’ia heqë këto vota, pra kujt do t’ia marrë mandatin, por i bën muuuu që ky është turp”, shkruan Braçe.

Kujtojmë që për këtë proces që denoncon Braçe, PS i ishte drejtuar KAS me një kërkesë ku kërkonte që të llogariteshin si të vlefshme edhe ato vota për kandidatët kur ‘x’ apo ‘+’ ishte vendosur jashtë kutisë së kandidatit, por kërkesa u rrëzua.