Vigani i frikshëm ushtarak e ka ndaluar orën e tij me një grusht që koha ia dha detit për ta mbajtur pa fjalë sepse aty gurët kanë sy, betoni nuk plaket por forcohet nga uji i kripur! Këtu dikur nëndetëset hynin me hijet në barkun e tij dhe dilnin nga legjendat që askush nuk i pa, por të gjithë i tregonin.
Sot atje s’ka sirena, as alarme, ka vetëm heshtje ku e shkuara thërret turistë që s’kanë frikë nga lufta por nga selfiet që nuk dalin bukur brenda tij sepse atje thellë bën ftohtë si vdekja dhe ngrohtë me kujtimet e një paranoje që u bë atraksion i ndaluar i ditëve të fundit. Bunkeri Tunel i Porto Palermos, në Amarcord, ora 21:00 në Report Tv.
Gazetari Eljan Tanini bisedoi me:
Et’hem Hamzaraj, ish ushtarak i lartë në Porto Palermo
Zabit Çuku, Ish ushtarak dhe xhenier
Amarcord, histori që na i mbuluan vitet, kujtime që na i rikthen televizioni!
Emisioni “Amarcord”, i cili transmetohet çdo të diel në orën 21:00 në Report TV, sjell përmes kamerës rrëfimet dhe të pathënat e një Shqipërie që shpesh është lënë në heshtje. Në këtë episod, jo vetëm që eksplorohet një nga bazat më të mistershme ushtarake shqiptare, por rikthehet edhe një reflektim mbi paranojën, izolimin dhe transformimin e frikës në trashëgimi.
Nga legjendat e nëndetëseve në Porto Palermo, drejt heshtjes që fton turistë
Në një vend ku deti u thotë gurëve të mbajnë sekretet dhe ku bunkeri nuk është vetëm një rrënojë betoni, por një grusht i madh kundër kohës, qëndron një nga monumentet më të rralla dhe të mistershme të trashëgimisë ushtarake shqiptare: Tuneli i Nëndetëseve në Porto Palermo.
Eljan Tanini: Z. Hamzaraj, si ishte për ju të shërbenit në një bazë kaq të pazakontë dhe sekrete si ajo e Porto Palermos dhe brenda këtij barku prej betoni?
Et’hem Hamzaraj: Ishte si të jetoje në një botë tjetër. Kur futeshe brenda tunelit, koha nuk kishte më ritmin e zakonshëm. Errësira, lagështia, zhurmat metalike dhe ndjenja e përhershme e gadishmërisë krijonin një atmosferë që nuk harrohet kurrë. Ne kishim për detyrë të ruanim jo vetëm mjetet e luftës, por edhe sekretet e shtetit. Në vitin 1993 brigada e nëndetëseve u mbyll.
Tanini: -Çfarë ndodhte konkretisht brenda këtij bunkeri?
Hamzaraj: -Ky tunel ishte porti i brendshëm për nëndetëset shqiptare. Këtu bëheshin remontet, furnizimet, qëndrimi në fshehtësi dhe përgatitjet për operacione. Kishim një disiplinë ushtarake të hekurt. Më kujtohet një rast kur për tre ditë nuk dolëm fare jashtë, vetëm urdhëra, errësirë dhe tension.
Tanini: Si ishte ndjenja e punës në një vend që të gjithë e kishin frikë, por askush nuk e dinte si dukej?
Hamzaraj: Ishte një përzierje krenarie dhe presioni të madh psikologjik. Nuk i thonim askujt ku punonim. Edhe familjet tona nuk dinin gjithçka. Kishim ndjesinë se ishim pjesë e një force më të madhe që ruante kufijtë në një mënyrë që të tjerët nuk do ta kuptonin dot. Dhe kjo e bënte gjithçka të rëndë, por edhe të veçantë. Ne nuk ishim objekt atomik, e gjitha kjo ishte e kotë, nuk kishte vlerë kjo gjë për ne, jo e përshtatshme, me kaq shumë beton mund të bëhej një Vlorë e tërë.
“Tuneli ishte ndërtuar për të përballuar bombën bërthamore”, rrëfen Zabit Çuku, xhenier ushtarak
Eljan Tanini: Z. Çuku, si nisi ndërtimi i këtij kompleksi dhe çfarë sfidash kishte?
Zabit Çuku: -Skicimi nisi në fillim të viteve 60-të. Vendndodhja u përzgjodh me kujdes për shkak të relievit natyror, një gji i mbyllur, i mbrojtur dhe i vështirë për t’u vëzhguar nga deti apo ajri. Struktura është futur thellë në mal, me beton të klasit të lartë dhe me trashësi që në disa pika kalon 2.5 deri në 3 metra, por dhe më shumë në zona të tjera brenda tij! Ishim të bindur se kjo vepër duhej të përballonte edhe një sulm bërthamor.
Tanini: -Dhe përse duhej kaq shumë mbrojtje?
Çuku: -Sepse jetonim në një kohë paranoje. Enver Hoxha ishte i bindur se Shqipëria mund të sulmohej në çdo moment, qoftë nga lindja, qoftë nga perëndimi. Ky kompleks ishte pjesë e doktrinës së mbrojtjes së përgjithshme. Këtu mund të mbijetonin jo vetëm nëndetëset, por edhe pjesë e komandës në rast lufte.
Tanini: -A ka ende funksionalitet ky bunker sot?
Çuku: Struktura është akoma e fortë. Uji i kripur nuk e ka dëmtuar, sepse inxhinieria që përdorëm e parashikonte bashkëjetesën me lagështinë. Problemi është mirëmbajtja. Sot është i braktisur dhe mund të degradojë nëse nuk trajtohet si aset i rëndësishëm historik dhe turistik.
Nga frika në kujtim: sot aty ka heshtje, jo sirena
Eljan Tanini, Reflektim:
-Aty ku dikur ushtarakët përgatisnin nëndetëset për ndonjë “ditë të zezë”, sot dëgjohet vetëm heshtja. Bunkeri i Porto Palermos nuk ka më sirena, por ka një të ftohtë që të shkon në palcë dhe një atmosferë që flet më shumë se çdo guidë turistike.
Vizitorët që shkojnë atje nuk kërkojnë më strategjitë e mbrojtjes, por përpiqen të kuptojnë pse Shqipëria ndërtoi një “fortesë nënujore” në zemër të Jugut. Shumë nuk e dinë se për të realizuar këtë projekt janë përdorur mijëra orë pune, trajnim specifik, materiale të papërballueshme për atë kohë dhe mbi të gjitha një besim absolut në rrezikun që “ishte përherë afër”./Shqiptarja.com