Gjykata e Lartë ka caktuar gjyqtaren që do të shqyrtojë rekursin e paraqitur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet aktualisht në burg. Sipas njoftimit zyrtar të publikuar në faqen e Gjykatës së Lartë, relatore e çështjes është caktuar gjyqtarja Albana Boksi, ndërsa ende nuk është përcaktuar një datë për shqyrtimin e saj.
Rekursi përfshin edhe disa biznesmenë të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje, ndërkohë që mungon emri i bashkëshortes së Veliajt. Për të, gjykata ka vendosur një masë më të lehtë, detyrim paraqitjeje, e cila nuk është kundërshtuar nga SPAK, për shkak se ajo është nënë e një fëmije të mitur.
Emri i gjyqtares është publikuar më 13 qershor, duke treguar se rekursi është regjistruar në Gjykatën e Lartë vetëm së fundmi.