Nga Frrok Çupi 

Në fund të fundit, vetëm kaq, një aspirinë. Por nuk mund të thuash ‘asgjë më tepër’. Sepse pas ‘aspirinës’ qëndron një makth i tërë.

Njësoj si në ngjarjen e ndodhur në Gjirokastër, vite më parë. Më tregonte sot Njazi Jaho, juristi i famshëm, mbrojtës i të Drejtës së individit dhe të shtetit.

-Ai burri në rrugicën tonë paralele, po vdiste, tregon Njaziu. Sëmurë prej kohësh. Të gjithë familjarët rreth e rrotull. Ja tani, ja pastaj… Ende nuk kishte thënë asnjë fjalë për trashëgiminë. Palët e të njëjtës familje prisnin e shikonin njëri tjetrin.

Ja, më në fund, bëri me shenjë…, të shoqes: ‘Pa eja pak…’. Ajo u afrua. Të tjerët shqyen sytë dhe menduan se do të fliste. Po, foli: Një aspirinë!, kërkoi mes të gjithëve që prisnin trashëgiminë.

Çfarë kërkon tani Sali Berisha? Edhe ky është në vdekje politike. Imiton njëpërnjë burrin me trashëgimi. Saliu foli… Ata prisnin që ai të ikte, por ai kërkon aspirinë. U krijua një sagë e tërë me ikjen apo mos- ikjen, menjëherë pas zgjedhjeve të 11 Majit ku Berisha me PD humbën thellë. Fatmirësisht humbën thellë, sepse populli shqiptar nuk e do më trashëgiminë e të keqes.

Disa prisnin që të largohej Saliu e të vinte e bija. Kjo duket si e pamundur, por nuk është; veçse ua ka fshehur Saliu të tijve. Tani ai po kërkon ‘aspirinën’ e kutive të votimit. Të hapen kutitë e votimit!, ka kërkuar; dhe kjo po ndodh. Po hapen në Tiranë, Fier, Durrës…

Ai e di se rinumërimi nuk do të sjellë asnjë ndryshim. S’ka gjë, ai ka kërkuar aspirinën, këtë po merr. Me këtë Saliu shtyn kohën edhe ca. Ai nuk shikon për lart, shikon për teposhte, ku po rrëshqet vrikthi. Megjithatë shtyn pak kohë me një ‘aspirinë’ deri në katakombe.

Rinumërimi mund t’i sjellë fatin e ndonjë katastrofe në vend; kështu shpreson. O vapa e madhe, o ndonjë stuhi pas vapës, o ndonjë epidemi, o ndonjë tërmet… Kushedi!, mendon Berisha. Ngjarja e Kosovës ku nuk po ngrenë dot qeveri e Parlament, është një model i mirë për Berishën; edhe këtu po tenton ta marrë shtetin zvarrë.

Burri në Gjirokastër me ‘dorëheqje’ konsideronte ‘vdekjen’. Prandaj kërkoi aspirinë. Aspirina politike për Berishën është ‘mosnjohja e zgjedhjeve’. Mosnjohja është pasaporta për ta paraqitur te të tijtë.

“Çfarë?, të jap dorëheqjen? Dorëheqja jepet kur humb zgjedhjet, por ne nuk kishim zgjedhje, kishim farsë!’ Ja, prisni kur Berisha të thotë tamam kështu.

Edhe ‘të moderuarit’ e PD i përdor si aspirinë. Këta si ‘të moderuar’ i ‘kref’ media, por realisht janë po aq ‘Sali’ sa edhe Saliu. Shiko çfarë bëri me Joridën! E mori me vete në Bruksel ku do të shpallte se ‘Shqipëria nuk e meriton të hyjë në BE’… S’ka rëndësi sa vetë e dëgjuan; rëndësi që Jorida e ‘Integrimit’ të instalohet kundër Integrimit. Do t’i thotë gjithë botës për ‘Joridën kundër’. ‘Se nuk jam i vetëm kundër!’, thotë Saliu.

Alimehmeti e Kalaja janë akoma më të lakueshëm. Sa një aspirinë për Berishën. Kur del jashtë ‘familjes’ së tij, shpëtimin e kërkon në mënyrë të dhunshme, jo thjesht ‘një aspirinë, grua!’. Në SPAK dhe Gjykatën Speciale e kërkon me shantazh dhe me joshje. Bën si trim, por në fakt jep mesazhe pule. Në Bruksel shkon kot e kthehet kot, por në fund të fundit bën një udhëtim.

Te Gjiri i Lalëzit nuk shkon dot më dhe kjo e bën nervoz. Ndërsa në televizione e ka vendin përnatë e përditë… Nuk është pak. Për më gjatë as ka ‘sy për qape’.